Projektligj për fëmijët pa kujdes prindëror, mbështetje financiare për familjet kujdestare

TIRANË, 7 tetor/ATSH/ Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka hedhur për konsultim publik një projektligj të ri për kujdesin alternativ, ndaj fëmijëve pa kujdes prindëror.
Në këtë projektligj, thuhet se për fëmijët deri në moshën 18 vjeç që mbeten pa prindër, ose që janë në rrezik për t’i humbur ata, mbështetja nuk do të jetë vetëm institucionale, por do të ketë edhe familje kujdestare që do të kujdesen për ta, kundrejt një pagese të posaçme.
Sipas projektligjit, parashikohet financim nga buxheti i shtetit dhe bashkitë, duke përfshirë pagesa mujore për çdo fëmijë në kujdes alternativ, sigurime shoqërore dhe shëndetësore për familjet kujdestare profesionale, duke i njohur atyre vjetërsi pune, të drejtë pensioni, si dhe mbulim financiar gjatë shtatzënisë apo aksidenteve në punë.
Projektligji specifikon të gjitha rastet kur fëmijët mund të përfitojnë nga shërbimi i kujdesit alternativ në familje. Kjo përfshin situata si mungesa e të dy prindërve, kur njëri është i pranishëm, por nuk mund të ushtrojë përgjegjësinë prindërore, kur fëmijët janë të braktisur ose kur prindërit ndodhen në institucione të vuajtjes së dënimit.
Objekt i ligjit janë gjithashtu fëmijët e prindërve me aftësi të kufizuara që nuk mund të ofrojnë kujdes të përshtatshëm, fëmijët që përballen me dhunë, abuzim, trafikim apo shfrytëzim, si dhe fëmijët e ndarë nga familjet e tyre për shkak të konflikteve të armatosura, emergjencave humanitare, kërkesave për azil, emigrimit të detyruar ose fatkeqësive natyrore.
Identifikimi dhe referimi i rasteve në nevojë për kujdes alternativ në familje do të realizohet nga punonjësit e mbrojtjes së fëmijës në bashkëpunim me njësinë e vlerësimit të nevojave dhe referimit në nivel vendor.
Punonjësit për mbrojtjen e fëmijës dhe njësia e referimit vlerësojnë nevojën e fëmijës për kujdes alternativ dhe ndërmarrin masat për vendosjen e fëmijës në kujdes alternativ në familje.
Ky sistem shihet si një model punësimi social, ku familjet jo vetëm ofrojnë mbrojtje për fëmijët në nevojë, por marrin edhe përfitime ekonomike të drejtpërdrejta.
Në projektligj cilësohet se “të dhënat personale të fëmijës në nevojë për vendosje apo të vendosur në kujdes alternativ në familje, si dhe të familjes që ofron shërbimin e kujdestarisë familjare përpunohen nga punonjës apo organe të autorizuara, ndërsa do merren masa për ruajtjen dhe mospublikimin e të dhënave të fëmijëve”.
Sipas projektligjit, familjet e interesuara për të ofruar kujdes alternativ paraqesin kërkesë me shkrim pranë strukturave përgjegjëse për shërbimet sociale në bashki ose përmes portalit elektronik e-Albania.
Në projektligj theksohet se familjet që përmbushin kriteret dhe kushtet e përcaktuara pajisen me licencën për ofrimin e këtij shërbimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi për lejet dhe licencat.
Ndërsa, rregullat për licencimin e familjeve që ofrojnë kujdes alternativ profesional në familje miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
/e.i/j.p/