E Hënë, 2 Nëntor 2026

Projektligji- Forcat e Armatosura me plan të ri vendosjeje dhe administrimi të pronave

Kuvendi i Shqipërisë, me propozimin e Këshillit të Ministrave, do të nis të shqyrtojë një projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit e të komandimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”.

Ky projektligj synon të qartësojë kompetencat, të formalizojë planifikimin strategjik dhe të rregullojë administrimin e pronave të Forcave të Armatosura.

Projektligji fut dy përkufizime të reja thelbësore që janë “Plani i vendosjes dhe përhapjes i Forcave të Armatosura”, që është një plan strategjik që përcakton vendndodhjen e zonave dhe objekteve ku FA kryejnë aktivitetet e tyre ditore, stërvitjet, përgatitjet për operacione, si dhe marrin mbështetjen logjistike dhe administrative në të gjithë territorin e Shqipërisë.

Përkufizimi i dytë ka të bëjë me “Pronat jashtë planit të vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura”, që janë pasuri të paluajtshme shtetërore nën përgjegjësinë e Ministrisë së Mbrojtjes ose një personi tjetër juridik pranë saj, të cilat nuk janë pjesë e planit të vendosjes dhe përhapjes së FA-ve.

Gjithashtu, titulli i nenit 7 do të ndryshohet për të reflektuar fokusin në planifikimin strategjik specifik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Zgjerimi i kompetencave dhe përgjegjësive

Projektligji sjell disa ndryshime në kompetencat dhe përgjegjësitë e Ministrit të Mbrojtjes dhe Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Në lidhje me bashkëpunimin ndërinstitucional, shtohet një pikë e re në nenin 11, duke theksuar rolin e Ministrisë së Mbrojtjes në përcaktimin e rregullave të bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore në angazhimin e strukturave, mjeteve dhe pajisjeve të Forcave të Armatosura.

Lidhur me Kompetencat e Ministrit të Mbrojtjes, që ka të bëjë me emërime, lirime, shkarkime qartësohet se ministri do të emërojë, lirojë ose shkarkojë oficerët aktivë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe strukturave të saj të varësisë së drejtpërdrejtë, si dhe oficerët me gradat “nënkolonel/kapiten i rangut të dytë” dhe “kolonel/kapiten i rangut të parë” në Forcat e Armatosura (me përjashtim të gradave madhore), me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Ministri do të nxjerrë në rezervë apo në lirim oficerët aktivë të FA (me përjashtim të gradave madhore) me propozim të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.

Ministri mund të komandojë në detyra të tjera oficerët e lartpërmendur për një periudhë jo më shumë se 6 muaj, me mundësi rikomandimi deri në dy herë.

Lidhur me miratimin e Planit të Vendosjes, sipas prjektligjit, ministri do t’i propozojë Presidentit të Republikës për miratim planin e vendosjes dhe përhapjes së Forcave të Armatosura.

Nga ana tjetër qartësohen dhe rastet se kur Ministri i Mbrojtjes zëvendësohet nga zëvendësministri i Mbrojtjes.

Lidhur me kompetencat e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm sa i përket emërimeve, lirimeve, shkarkimeve (gradat më të ulëta), në projektligj thuhet se “Shefi i Shtabit do të emërojë, lirojë ose shkarkojë oficerët aktivë të FA-ve me gradat “nëntoger/nënlejtënant” deri në “major/kapiten i rangut të tretë”, me propozim të komandantëve të forcave dhe strukturave mbështetëse (me përjashtim të personelit oficer të varësisë së drejtpërdrejtë të Ministrisë së Mbrojtjes).”

Ai miraton marrjen në punë me kontratë të personelit civil në funksionet ushtar/civil (U/C) dhe nënoficer/civil (N/C); komandon në detyra të tjera oficerët me gradat e ulëta të lartpërmendura për periudha të caktuara; komandon në detyra të tjera ushtarët aktivë, nënoficerët dhe personelin civil (me përjashtim të nëpunësve civilë dhe O/C) për periudha të caktuara; miraton kalimin në emërtesë të personelit nënoficer, ushtar dhe civil.

Komandantëve të Forcave/Strukturave Mbështetëse u shtohet detyra për të marrë në punë me kontratë personelin civil ushtar/civil (U/C) dhe nënoficer/civil (N/C) me miratimin e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Gjithashtu, ata do të komandojnë në detyra të tjera nënoficerët aktivë, ushtarët aktivë dhe personelin civil të forcës apo strukturës që drejtojnë.

Rregullimi i planit të vendosjes dhe përhapjes së FA-ve dhe administrimi i pronave

Një kre i ri, “KREU III/1”, shtohet në ligj, duke rregulluar detajisht kompetencat për hartimin dhe rishikimin e planit të vendosjes dhe përhapjes, si dhe administrimin e pronave të Forcave të Armatosura.

Plani do të hartohet nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, bazuar në planin afatgjatë të zhvillimit të FA. Ai do të përmbajë detyrimisht emërtimin, vendndodhjen e strukturës dhe koordinatat e saj. Procedurat dhe modeli i planit do të miratohen me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes.

Plani do të rishikohet periodikisht çdo 5 vjet, si dhe në çdo kohë në rastet e: ndryshimeve të nevojave të Forcave të Armatosura; përputhshmërisë me nevojat operacionale dhe standardet e NATO-s; investimeve me rëndësi të veçantë për zhvillimin ekonomik të vendit ose ndërtimeve të infrastrukturës publike që prekin pronat brenda planit, kur nuk cenohet operacionialiteti.

Shtabi i Përgjithshëm do të garantojë gatishmërinë operacionale në çdo rast.

Administrimi i Pronave

Pronat do të administrohen nga Ministria e Mbrojtjes ose një person tjetër juridik i krijuar për këtë qëllim. Pronat, si brenda ashtu edhe jashtë planit të vendosjes, mund të jepen për përdorim të dyfishtë, në interes të Ministrisë së Mbrojtjes, për sa kohë që nuk cenohen kapacitetet operacionale të FA.

“Përdorimi i dyfishtë nënkupton mundësinë e administrimit të pronës shtetërore si në funksion të veprimtarisë së FA, ashtu edhe në funksion të zhvillimit dhe rritjes së vlerës ekonomike të saj. Kriteret dhe procedurat për dhënien e pronës në administrim me qira, enfiteozë, përdorim të dyfishtë apo forma të tjera do të përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.”, theksohet në projektligj.

Ky projektligj, theksohet në dokument, shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit dhe efikasitetit të Forcave të Armatosura, duke qartësuar hierarkitë komanduese dhe duke optimizuar menaxhimin e aseteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›