Projektligji i ri për Dhomën e Tregtisë, bizneset anëtare automatikisht me tarifa deri në 70 mijë lekë

TIRANË, 18 gusht /ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, në formën aktuale, pritet të zëvendësohet me një strukturë të re kombëtare, sipas projektligjit “Për Dhomën Ekonomike Kombëtare”, që është hedhur për konsultim publik nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Sipas relacionit, projektligji synon krijimin e një modeli të ri të përfaqësimit të sipërmarrjeve. Subjektet tregtare me status aktiv në Regjistrin Tregtar do të bëhen anëtare të Dhomës Ekonomike Kombëtare “ipso lege”, pra automatikisht me hyrjen në fuqi të ligjit. E njëjta skemë parashikohet edhe për bizneset e reja që regjistrohen ose aktivizohen më pas, me përjashtimet e përcaktuara për subjektet që kanë detyrim anëtarësimi në dhoma ose organizata profesionale të krijuara me ligj të posaçëm.
Pas përfundimit të periudhës tranzitore do të aplikohet edhe tarifa vjetore e regjistrimit. Sipas draftit, ajo është 1 mijë lekë për subjektet që nuk janë subjekt i tatimit mbi fitimin, ndërsa për subjektet e tjera përcaktohet nga Asambleja e Përgjithshme në bazë të kritereve të madhësisë, numrit të punonjësve dhe xhiros, por nuk mund të kalojë 70 mijë lekë në vit. Mosshlyerja e tarifës parashikohet si kundërvajtje administrative.
Modeli i propozuar ndryshon nga organizimi aktual i dhomave të tregtisë, pasi përfaqësimi i ri do të ndërtohet kryesisht mbi bazë sektoriale dhe jo territoriale. Projektligji parashikon krijimin e Dhomave Sektoriale, ndërsa numri dhe emërtimet e tyre do të përcaktohen me propozim të Dhomës Ekonomike Kombëtare dhe miratim të ministrit përgjegjës.
Dhoma e re do të ketë një rol më të gjerë se përfaqësimi tradicional i biznesit. Krahas funksioneve përfaqësuese dhe koordinuese, ajo parashikohet të ushtrojë edhe funksione dhe shërbime publike të deleguara, në bashkëpunim me institucionet shtetërore.
Ndër kompetencat e reja janë identifikimi, verifikimi i bizneseve në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Biznesit, mbështetja e bizneseve në procedurat e regjistrimit, lëshimi i certifikatave të origjinës, “Carnet ATA” dhe “Carnet TIR”, si dhe kryerja e analizave dhe studimeve ekonomike.
Projektligji i jep Dhomës Ekonomike Kombëtare edhe rol në promovimin e markës “Made in Albania”, zhvillimin e tregtisë së jashtme, ndërkombëtarizimin e sipërmarrjes, organizimin e panaireve dhe trajnimeve, si dhe në krijimin e mekanizmave për arbitrazhin dhe zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve.
Në strukturën e re, organet drejtuese do të jenë Asambleja e Përgjithshme, Bordi, Presidenti dhe Sekretari i Përgjithshëm. Asambleja do të ketë jo më shumë se 121 anëtarë, ndërsa Bordi do të përbëhet nga 9 deri në 25 anëtarë. Mandati i organeve drejtuese do të jetë tre vjet.
Projektligji parashikon gjithashtu një periudhë tranzitore, gjatë së cilës DHEK do të funksionojë nën mbikëqyrje dhe administrim të përkohshëm shtetëror, deri në certifikimin e organeve të para drejtuese të zgjedhura sipas ligjit.
Nisma tashmë është në fazën e konsultimit publik, ndërsa ndryshimi i modelit të përfaqësimit, anëtarësimi automatik dhe tarifa vjetore përbëjnë disa nga elementet që pritet të jenë në qendër të diskutimit mes institucioneve dhe komunitetit të biznesit.
/e.xh/j.p/r.e/