Prokuroria: Bizhdili trukonte ndeshjet për 10-15 mln lekë
Hetimet
Më në fund vijnë sinjalet e para, që tregojnë se prokuroria shqiptare duket se po e merr seriozisht çështjen e trukimeve në futboll. Në fundjavë u fol shumë për përfshirjen e presidentit të Besës, Nexhat Bizhdili, në tentativën për të manipuluar të paktën 5 ndeshje, por vetëm dje organi i akuzës ka zyrtarizuar hetimet, duke dhënë edhe disa detaje rreth tyre. Në një komunikatë dje është njoftuar se prokuroria po zbardh dosjen e trukimit të ndeshjeve nga presidenti i skuadrës kavajase, Shpëtim alias Nexhat Bizhdili. Institucioni i akuzës, thekson se gjatë kësaj jave do të thërrasë personin nën hetim Bizhdili për ti komunikuar akuzën zyrtare. Mësohet se Bizhdili, kërkonte të trukonte ndeshjet fillimisht për një kompani bastesh serbe dhe më pas për ndere dhe miqësi, kundrejt 15 mijë dollarëve amerikanë (rreth 16 milionë lekë). Po ashtu, prokuroria ka mundur të zbardhë edhe bisedat që Bizhdili ka pasur me Presidentin e Tomorit, zyrtarëve të ekipit të Tiranës, përfaqësuesit e klubit Apolonia, me trajnerin e para të rinjve të Lushnjës, arbitra, futbollistë dhe portierë të ekipeve të ndryshme. Gjatë gjithë bisedave mes tyre, Bizhdili ofronte nga 10 milionë lekë për trukimin e ndeshjeve të futbollit. Në disa raste, sipas akuzës, Bizhdili kërkonte trukimin e ndeshjes për ndere, por edhe për përfitime financiare. Protagonistët e këtyre bisedave telefonike të përgjuara, të pyetur nga prokuroria, kanë pranuar se Presidenti i klubit të Besës i ka ofruar para për të trukuar ndeshjet e futbollit. Mes 5 ndeshjeve të dyshuara, 3 i përkasin Kategorisë Superiore dhe dy të tjera kampionatit të të rinjve U-17. Bëhet fjalë për ApoloniaBesa 2-1, TomoriBesa 1-0 dhe Besa-Shkumbini 1-1, si dhe takimet e kampionatit të 17-vjeçarëve, LushnjaBesa 1-2 dhe DinamoBesa 1-0. Edhe pse rezultatet e këtyre takimeve në shumicën e rasteve nuk kanë përfunduar sikurse ka tentuar presidenti kavajas, përgjimet telefonike, sipas Prokurorisë janë prova të pakontestueshme që rëndojnë pozitën e Bizhdilit. Vetë i akuzuari ka hedhur poshtë dje gjithçka, duke e konsideruar një inskenim, i cili bëhet në dëm të skuadrës së tij. Për të pesta ndeshjet, nuk ka asnjë bazë ligjore, asnjë provë, këtë e kam thënë edhe në prokurori, u kundërpërgjigj dje Bizhdili. Ato janë ndeshje që rezultatet e tregojnë se nuk janë treguar. Ata thonë që keni trukuar me Tomorin, ne kemi humbur, na thonë se kemi trukuar me Apoloninë, ne kemi humbur. Ky është një skenar, ndoshta politik. Ndoshta dikush që kërkon të largojë Besën nga kategoria. Unë garantoj që Besa do qëndrojë në Superiore. Jam i pastër dhe nuk kam frikë nga asgjë. Sapo të mbarojë procesi do ta hedh në gjyq prokurorin.
I akuzuari
Nexhat Bizhdili: Jam i pastër dhe nuk kam frikë nga asgjë. Sapo të mbarojë procesi do ta hedh në gjyq prokurorin
Prokuroria: Bizhdili trukonte ndeshjet për 10-15 mln lekë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email