E Diel, 1 Nëntor 2026

Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për krime lufte – i akuzuari dyshohet për vrasjen e 34 civilëve shqiptarë

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.M., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krim lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas aktakuzës, më 31 mars 1999, në fshatin Burim të Komunës së Malishevës, R.M., në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 34 civilëve shqiptarë.

Sipas medias në Kosovë, R.M. akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në shkatërrimin e pronës, dëbimin masiv të popullsisë civile dhe plaçkitjen e pasurisë së rreth 1.000 qytetarëve, të cilët nuk ishin të përfshirë në luftë. I pandehuri ndodhet nën masën e paraburgimit deri në një vendim tjetër të gjykatës, ndërsa rasti i është kaluar për trajtim Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës thekson se mbetet e përkushtuar në ndjekjen penale të krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›