Prokuroria autorizon policinë për të hetuar ndotjen e ajrit nga KEK

PRISHTINË, 25 prill /ATSH/ Prokuroria Themelore në Prishtinë, përkatësisht Departamenti i Përgjithshëm, bën të ditur se se ka pranuar informacione dhe një video-incizim, mbi bazën e të cilave ekzistojnë dyshime për ndotje të ajrit përmes tymit që po shkaktohet nga oxhaku në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), në Komunën e Obiliqit.
Sipas njoftimit, në lidhje me këtë rast, Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të verifikimit dhe sigurimit të provave relevante.
“Rasti është duke u trajtuar në drejtim të veprës penale ‘’Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit’’, sipas nenit 338 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Më tej thuhet se Prokuroria Themelore në Prishtinë, mbetet e përkushtuar në mbrotjen e mjedisit dhe garanton se do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të kësaj çështje.
Korporata Energjetike e Kosovës njoftoi sot se në Termocentralin “Kosova A” është evidentuar një ndërprerje e përkohshme në funksionimin e elektrofiltrave, si pasojë e një ndërprerjeje në qarkun elektrik të ndërprerësve të kompresorëve të ajrit me automatizëm, e cila ka shkaktuar ndaljen automatike të operimit të elektrofiltrave.
“Menjëherë pas evidentimit të situatës, ekipet teknike kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për identifikimin e plotë të shkakut, ndërsa aktualisht janë duke u zhvilluar ndërhyrjet për sanimin e defektit dhe rikthimin e funksionalitetit të plotë të sistemit”, thuhet nw njoftim.
Sipas KEK-ut, paralelisht, janë duke u zbatuar masa intensive parandaluese me qëllim mbrojtjen e aseteve të tjera teknike dhe minimizimin e çdo rreziku potencial për sistemin.
/KosovaPress/