Prokuroria e Përgjithshme mbyll verifikimin, Këshilli i Lartë Gjyqësor: Nuk kemi marrë asnjë dokument zyrtar për gjyqtaren Irena Gjoka

Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur verifikimin e thelluar për gjyqtaren Irena Gjoka, nga ku ka rezultuar se ajo ka qenë e dënuar në Greqi.
Por, Këshilli i Lartë Gjyqësor njofton se deri në orën 20:30 të datës 20 janar 2026 nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar.
“Të nderuar kolegë, lidhur me njoftimin e sotëm të Prokurorisë së Përgjithshme lidhur me vendimin e miratimit të rezultateve të verifikimit të thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit, datë 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka (Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ju bëj me dije se deri në orën 20:30, datë 20.01.2026, në adresë të KLGJ-së nuk ka mbërritur asnjë dokument zyrtar. Sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë zyrtarisht, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, dhe më pas do të ndiqet procedura përkatëse ligjore”, thuhet në njoftim.
/vizionplus.tv