Prokuroria e Tiranës kërkon konfiskimin e pasurive të Alda Klosit: Shuma mbi 500 mijë euro t’i kalojë shtetit

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar konfiskimin e pasurive të ish-zyrtares Alda Klosit. Prokuroria ka kërkuar që nga shuma mbi 500 mijë euro deri të apartamenti, garazhi e makina në pronësi të Klosit, t’i kalojnë shtetit.
Klosi u arrestua më 3 shkurt pas dëshmisë së Rozeta Dobit, pastrueses e cila në bashkëpunim me djalin e saj, i vodhi ish-zyrtares mijëra euro.
Pas kontrollit të ushtruar në banesën e Dobit më 6 janar të vitit të kaluar u sekuestruan 58 mijë euro, ndërsa një ditë më pas iu gjetën rreth 405 mijë euro.
Organi i prokurorisë arriti në konkluzionin se shuma e parave të sekuestruara në banesën e Rozeta Dobit dhe apartamenti/garazhi i blerë në vitin 2019 nga ish – bashkëshorti i saj Alda Klosit, janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në ILDKPKI.
Sipas organit të prokurorisë, pasuritë e Alda Klosit, nuk janë të justifikuara dhe nuk mbulohen me të ardhura të ligjshme.
Brenda afatit gjashtë mujor, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, paraqet kërkesën për konfiskim dhe kalimin në pronësi të shtetit të pasurive të mëposhtme:
- Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë e tetë mijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikanë, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetë e dy mijë e nëntëqind e pesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në bankën “Credins Bank”, sipas mandateve përkatëse datë 10.01.2023;
- Apartament me sipërfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
- Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572-G 16 ZK 8210, Vol 42,Fq 74 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit A. K.;
- Autoveturë Toyota Rav 4, me targa AA170ZY, Nr. Shasie JTMBB31V50D109772, në pronësi të shtetases A.K.
/rtsh.al/