E Hënë, 2 Nëntor 2026

Prokuroria kërkon gjashtë vite burg për Matteo Salvinin pas skandalit të emigrantëve

Prokuroria e Palermos ka kërkuar 6 vite burg për zëvendëskryeministri i Italisë Matteo Salvini, kjo pasi kjo Prokurori  thotë se ai është përgjegjës për mbajtjen peng të 147 emigrantëve në bordin e anijes spanjolle ‘Open Arms’, pasi ishin të paligjshëm. 

Lideri i ‘Lidhjes së Veriut’ akuzohet për peng marrje dhe refuzim të akteve zyrtare për vonimin e zbarkimit të 147 emigrantëve nga bordi i anijes Open Arms në gusht 2019, kur ishte ministër i Brendshëm. Sipas prokurorisë, Salvini, duke mohuar autorizimin për zbarkimin nuk kreu një akt politik, por një zgjedhje personale që shkonte përtej vijës qeveritare të ekzekutivit Conte 1, lidhur me rishpërndarjen e emigrantëve në Evropë.

Pas kërkesës së prokurorisë reagoi dhe Salvini duke shkruar në rrjetet sociale “Do ta bëja sërish të gjithën nga e para: mbrojtja e kufijve nga emigrantët e paligjshëm nuk është vepër penale”.

Në mbrojtje të Salvinit është deklaruar edhe kryeministrja Giorgia Meloni, e cila tha se  “Të shndërrosh detyrën për të mbrojtur kufijtë italianë nga imigracioni i paligjshëm në një krim është një precedent shumë i rëndë. Solidariteti im i plotë me ministrin Salvini. Gjashtë vjet burg për bllokimin e zbarkimeve dhe mbrojtjen e Italisë dhe italianëve? Marrëzi. Të mbrosh Italinë nuk është krim dhe nuk do të dorëzohem as tani e as kurrë” u shpreh ajo.

Vendimi për Matteo Salvinin do të merret nga një gjykatës i lartë, pasi ka kaluar tashmë një proces gjyqësor prej tre fazash. Një vendim përfundimtar mund t’ia ndalojë atij edhe mbajtjen e funksioneve publike.

/RTSH/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›