E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Promovohet libri “Rrno për me tregue”; Berisha: Sot në Shqipëri kërcënohet fjala e lirë

TIRANË, 15 janar/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha mori pjesë sot në përurimin e librit të Simon Mirakës “Rrno për me tregue”, të cilin e cilësoi një kontribut të madh për njohjen e të kaluarës nën regjimin komunist e kampeve të internimit.

Në fjalën e tij Berisha tha se, “shpreh mirënjohje për Simon Mirakën për këtë vepër kushtuar njërës prej periudhave më dramatike të historisë sonë kombëtare, kushtuar kalvarit më të egër që shqiptarët njohën pas Luftës së Dytë Botërore, kushtuar qëndresës dhe shpirtit të pamposhtur të elitës tonë kombëtare. Simon Miraka, familja Miraka janë një familje ndër më të njohurat, më atdhetaret në veriun e Shqipërisë”.

“Ky libër rreshtohet tashmë krahas kryeveprave të tjera, siç është trilogjia e Fatbardha Saraçit, një apoteozë e vërtetë kushtuar gruas shqiptare. Nuk gjendet kund në letërsi një vepër e dytë si ajo, në të cilën të hymnizohet qëndresa e nënës dhe gruas shqiptare në këto kampe. Simoni e ka përshkruar më vërtetësi të mëdha këtë kalvar. Ky kalvar është i përshkruar në vepra të tjera nga një seri personalitetesh që vuajtën. Por kjo letërsi mbushi gjithashtu, ose ngriti një monument, i cili nuk ekzistonte në letërsinë tonë. Letrat shqipe në shtatin e Prokustit, e fshehën, e injoruan tërësisht këtë dimension. Ndaj dhe ne të gjithë duhet të jemi mirënjohës të pakufishëm Simonit, Pjetër Arbonit, Maks Velos, Kasoruhos, Fatos Lubonjës, Fatbardha Saraçit dhe shumë të tjerë, të cilët ngritën këtë monument. Një monument i të vërtetave shqiptare”, theksoi Berisha.

“Në qoftë se letërsia socialiste ishte monument i mashtrimit, i falsifikimit, i glorifikimit të të keqes, kjo letërsi është letërsia që u mëson shqiptarëve për kalvarin që ata përjetuan si asnjë komb tjetër në Evropë pas lufte”, tha Berisha.

Më tej Berisha tha se “sot në Shqipëri kërcënohet fjala e lirë çdo ditë e më shumë. Sot censura është një realitet i pamohueshëm në propagandën e atyre që quhen mediet kryesore. Lavdi Zotit që janë mediet sociale dhe portalet, të cilat nuk pranojnë censurën, nuk lejojnë censurën”.

“T’u them një gjë unë ju, këtë fitoren e Donald Trump e kam quajtur më të jashtëzakonshmen, para së gjithash për shkak të censurës. Se ajo që pësuam ne, ajo që pësoi Simoni, ajo që pësuan dhjetëra mijëra shqiptarë, ajo filloi me censurën, ajo filloi me fjalën”, tha Berisha.

/k.s/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›