E Hënë, 2 Nëntor 2026

Propozoi pension minimal 30 mijë lekë, Shehi: Indeksimi vlen për propagandë

Lëvizja për Zhvillim Kombëtar kërkon rritje të ndjeshme të pensionit minimal. Të moshuarit konsiderohen si më të goditurit nga rritja e çmimeve ndaj vetëm indeksimi nuk mjafton.

“Ne mund t’i afrojmë pensionistëve shqiptarë, mundësi për rritje reale të pensionit minimal, deri në nivelin e 30 mijë lekëvë të reja. Për këtë, duhet që në buxhetin e pensioneve, të bëhet një shtesë rreth 400 milion Euro në vit, para këto të cilat për buxhetin e shtetit shqiptar, janë një shifër e konsiderueshme por që ne, mendojmë se është plotësisht e mundur për tu gjetur”, deklaroi kreu i LZHK, Dashamir Shehi disa ditë më parë.

Për të folur rreth këtij propozimi, Shehi ishte në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus, me moderatoren Pranvera Borakaj ditën e sotme.

Shehi tha se indeksimi i propozuar nga qeveria me 4.1% vlen vetëm për propagandë.

Pranvera Borakaj: Ju keni bërë një sugjerim ku propozoni që pensioni minimal të jetë 300 mijë lekë të vjetra. Keni treguar edhe formën se ku mund të gjenden këto para në buxhetin e shtetit për të mbuluar të gjithë këtë buxhet që konsiderohet se rritet me rritjen e pensioneve. Sa mendoni se është një propozim i cili do të merret në konsideratë të paktën në vlerën që ju propozoni.

Shehi: Nëse nuk merret në vlerën që propozoj unë le të tentojnë në shifra më të vogla. Por pensioni mesatar është 190 euro në Shqipëri, s’ka shifër me qesharake. Minimalet janë akoma më të vogla. Ka një indeksim që do ndodhë vitin tjetër, për të cilin janë vënë 16 milionë. Kjo nuk është kurrgjë. Kjo nuk vlen, vlen për propagandë. Nëse buxheti i shtetit, e gjithë ekonomia e Shqipërisë nuk sforcohet, nuk shton një buxhet, nuk rriten pensionet. Ka ardhur dita që me këtë punë të merren seriozisht. Po të rriten pagat, siç ka premtuar kryeministri, rriten dhe kontributet, del edhe një 100 milionsh tjetër. Sot borxhi i brendshëm është 56% të GDP. Eurozona e ka 90% të GDP. Tani ne do bëjmë garë me Eurozonën? Po le të rritet dhe pak borxhi i brendshëm. Për 10 vjet me radhë do marrim 100 milionë borxh të brendshëm për pensionet, derisa ky brez që merr nga 100 mijë…shqiptarët zakonisht marrin 10 vjet pension. Dalin në moshën 66 vjeç dhe mosha mesatare e jetëgjatësisë është 77 vjeç./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›