E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta: Me xhaminë do ndërtohen dhe dy qendra tregtare. Unioni i Arkitektëve: Xhamia, e papranueshme dhe estetikisht

pemet-crrenjosur

Aktivistët e mbrojtjes së mjedisit kanë bërë apel sërish që të mos shkatërrohet i vetmi park i mbetur brenda unazës së Tiranës.

Sipas tyre, përveç xhamisë së madhe të Tiranës, aty do ndërtohen edhe dy qendra tregtare.

Ata thonë se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por nuk duhet abuzuar në emër të saj.

Nën emrin e promovimit të një xhamie, për të cilën Komuniteti Mysliman ka nevojë, kalojnë kulla biznesi për qëllime të pastra përfitimi dhe spekulimi ndërtimor. Vetë xhamia ndotet me biznese, qëndron mbi biznese, gjë që shkon edhe kundër principeve të fesë. Kanë mashtruar në lidhje me pronësinë në të cilën ndërtohet xhamia, çështje e cila ende nuk është zgjidhur, thotë arkitekti Artan Shkreli.

Është një vendimmarrje, e cila ka shkelur një sërë hapash, duke filluar që nga mungesa e një studimi të detajuar. Këto tre vepra, një xhami dhe dy kulla biznesi, po ndërtohen kaq pranë njëra-tjetrës, kaq pranë parlamentit dhe në një hapësirë që për fat të mirë ose jo, është hapësira e fundit e mbetur pranë një qendre metropoli siç është Tirana, thotë ambientalisti Sazan Guri.

Unioni i Arkitektëve kundërshton edhe projektin e paraqitur për xhaminë pasi është e papranueshme nga ana arkitekturore dhe ajo estetike.

Na parashtrohet papritur një projekt që nuk është debatuar ndonjëherë. Na jepet një pamje, ku shohim një xhamie që, më falni nëse shprehem kështu, por ngjan sikur është marrë nga një periferi e Stambollit apo qyteti tjetër të Anadollit. Ka plot shembuj si në lindje ashtu edhe në perëndim të xhamive moderne dhe bashkëkohore, thotë Ledian Bregasi, nga Unioni i Arkitektëve.

Reagon Komuniteti Mysliman

Të kontaktuar me telefon nga Vizion Plus, drejtuesit e zyrës së shtypit të Komunitetit Mysliman pohojnë se për ata i rëndësishëm është ndërtimi i xhamisë dhe jo i objekteve të tjera që pretendohen se do të ngrihen aty.

Agron Hoxha sqaron se KMSH ka vetëm një projekt të miratuar për ndërtimin e xhamisë dhe çdo debat tjetër nuk do të zbehë këtë iniciativë të madhe për besimtaret.

Ndërkohë, projekti për ketë objekt kulti është pjesë e studimit te gjithë zonës, sipas planit te ri urbanistik. Premtimi i parë për ndërtimin e xhamisë se madhe është bërë mëse dy dekada më parë, kur në sheshin e Namazgjasë u vu edhe guri i themelit, por që nuk u realizua deri më sot.

Me projektin e ri, ndërtimi i saponisur përfundon në 2016.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›