E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta dhe ngujim deri në 4 të mëngjesit/ Banorët e Patos-Marinzës kërkojnë pagesat e pronave nga kompania “Bankers”

Banorët e zonës së Patos-Marinzës vijojnë protestat ndaj kompanisë Bankers, duke kërkuar zbatimin e kontratave për qiratë e tokave.

Përplasja lidhet me pagesat e qirasë dhe vlerën që duhet të paguhet për tokën pas vitit 2029.

Prej disa protestash, banorët e Patos-Marinzës kërkojnë që Bankers të zbatojë kontratat e qirasë së tokave, të cilat, sipas tyre, janë në fuqi deri në vitin 2029.

Banorët thonë se marrëveshjet parashikojnë pagesën prej 4 milionë lekësh në vit për një dynym tokë, por pretendojnë se detyrimet e përcaktuara në kontrata nuk po zbatohen. Ata kërkojnë vijimin e pagesave sipas marrëveshjeve të lidhura.

Përveç pagesave aktuale, një tjetër pikë e debatit është vlera e qirasë pas vitit 2029. Banorët kërkojnë që ajo të rritet në 6 milionë lekë për dynym, ndërsa sipas tyre kompania ka propozuar uljen e pagesës në 2 milionë lekë.

Protesta është përshkallëzuar edhe gjatë mbrëmjes së kaluar, kur rreth 20 banorë u ngujuan në zyrat e Bankers, ku qëndruan deri rreth orës 04:00 të mëngjesit.

Ata u larguan vetëm pasi iu komunikua se do të zhvilloheshin bisedime për kërkesat e tyre.

Banorët paralajmërojnë se nuk do të tërhiqen dhe se, nëse nuk gjendet një zgjidhje për pagesat, protesta mund të vijojë me bllokimin e hyrjes së punonjësve në tokat që kanë dhënë me qira.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›