E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 23-të për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 22 qershor /ATSH/ Protestuesit u mblodhën sot sërish në sheshin “Skënderbej” në ditën e 23-të radhazi në protestën kundër zhvillimit të projektit turistik në Zvërnec.

Pas qëndrimit në shesh, protestuesit marshuan drejt godinës së Kryeministria e Shqipërisë.

Fillimisht, tubimi u zhvillua në sheshin “Skënderbej”, ku protestuesit kënduan himnin kombëtar dhe më pas morën fjalën qytetarë dhe aktivistë të ndryshëm të pranishëm në protestë.

Me pankarta dhe flamuj në duar, ata përsëritën thirrjet për ndalimin e projektit turistik në Zvërnec.

Protestuesit kanë paraqitur pesë kërkesa kryesore, përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investitorët strategjikë, shfuqizimin e Paketës së Maleve, anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe anulimin e ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Gjatë tubimit, në emër të grupit koordinues të protestës, Dritan Goxhaj paraqiti kërkesat që organizatorët i cilësojnë si zyrtare dhe të panegociueshme, të hartuara pas konsultimeve me pjesëmarrësit në protestë.

Sipas deklaratës së bërë publike, kërkesa kryesore mbetet dorëheqja e kryeministrit dhe e kabinetit qeveritar, si dhe krijimi i një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor.

Organizatorët kërkojnë gjithashtu hartimin e një kushtetute të re, e cila sipas tyre duhet të miratohet përmes referendumit popullor. Në kuadër të kësaj reforme propozohet ndryshimi i Kodit Zgjedhor, rishikimi i ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave, si dhe kufizimi i mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate gjatë gjithë jetës politike të një individi.

Në deklaratë u theksua se protestuesit nuk heqin dorë nga kërkesat e mëparshme që lidhen me anulimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e “Paketës së Maleve” dhe të kuadrit ligjor për investimet strategjike.

Një tjetër pikë e platformës së prezantuar është hartimi i një kontrate të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, e cila sipas organizatorëve do të përgatitet në bashkëpunim me ekspertë, intelektualë dhe qytetarë të pavarur të propozuar nga vetë protestuesit.

Organizatorët deklaruan se protesta do të vijojë në mënyrë paqësore deri në realizimin e kërkesave të paraqitura.

Dita e 23-të e protestës për Zvërnecin në kryqytet, foto: Andrin Hoxha 1 nga 14

/gj.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›