E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 45-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 14 korrik /ATSH/ Qytetarë u mblodhën sot në sheshin “Skënderbej” në protestën e 45-të kundër investimit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit.

Pas grumbullimit në qendër të kryeqytetit, protestuesit marshuan përgjatë bulevardit drejt Kryeministrisë, duke shprehur kundërshtimin ndaj projektit dhe duke artikuluar edhe kërkesa të tjera që lidhen me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Mes pankartave që protestuesit mbanin në duar kishte edhe të shkruara në anglisht dhe frëngjisht me mesazhe ku premtohet vazhdimi i protestës, kërkesa e panegociueshme për dorëheqjen e kryeministrit dhe thirrjet për ndryshimin e sistemit politik.

Në protestën para Kryeministrisë, organizatorët dhe pjesëmarrësit ritheksuan kërkesat e tyre, duke përfshirë dorëheqjen e kryeministrit, krijimin e një qeverie tranzitore, ndryshime kushtetuese, si edhe shfuqizimin e ligjeve për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Një nga protestuesit e cilësoi si  arritje të protestës vendimin e qeverisë për të mos rinovuar ligjin për investimet strategjike, duke pretenduar se ky zhvillim është rezultat i presionit të ushtruar nga protesta.

Pas fjalimeve para Kryeministrisë, protestuesit marshuan në disa nga rrugët e kryeyqytetit.

Protesta e 45 për Zvërnecin në Tiranë, foto: Andrin Hoxha 1 nga 18

/gj.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›