E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 62-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 31 korrik /ATSH/ Në Tiranë ka vijuar edhe sot në ditën e 62-të protesta e qytetarëve, e cila nisi si kundërshtim ndaj investimit në Zvërnec dhe më pas u zgjerua me kërkesa për largimin e qeverisë dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.

Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit marshuan drejt Kryeministrisë përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj projektit dhe duke ngritur njëkohësisht shqetësime të tjera lidhur me politikat për zonat e mbrojtura dhe investimet strategjike.

Një qytetar, u shpreh se ka ardhur nga zona e Nikaj-Mërturit, teksa u shpreh se kjo është protesta e rinisë.

“Në momentin që qytetarët nuk janë të bindur nga një qeveri makute, populli atëherë është i pamenaxhueshëm. Kjo protestë po tregon për brezin e ri dhe qytetarët se nuk kemi frikë nga liria. Nuk kemi pse të kemi frikë nga liria. Dhe kjo rini nuk ka pse të ketë frikë, ajo kërkon të zbatohet ligji”, tha ai.

Një tjetër protestues, pohoi se kjo protestë po nxjerr në pah edhe pakënaqësitë e socialistëve.

“Janë këta që po shkelin jo besën që ua dhanë atyre, jo mua se unë nuk u përkas atyre. Është një mbështetje e madhe për shqiptarët kjo protestë”, tha ai.

Me pankarta në duar dhe flamuj kombëtarë, protestuesit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që ata e cilësuan “kastë të vjetër politike”.

Edhe në ditën e 62-të, protestuesit përsëritën se do të vijojnë çdo ditë tubimet dhe marshimet e tyre.

Pasi qëndruan për disa orë para godinës së Kryeministrisë, protestuesit nisën marshimin nëpër akset kryesore të Tiranës.

Protesta e 62-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë, foto: Florian Abazaj 1 nga 12

/e.i/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›