Protesta e 71-të radhazi për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 9 gusht /ATSH/ Protesta kundër projektit të planifikuar në Zvërnec ka hyrë sot në ditën e 71-të.
Qytetarë të ndryshëm u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, për të marshuar më tej përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt godinës së Kryeministrisë, duke përsëritur thirrjet për dorëheqjen e Kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Me pankarta dhe flamuj kombëtarë, pjesëmarrësit kërkuan shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, rishikimin e ligjit zgjedhor, si dhe largimin e asaj që e cilësuan “kastë e vjetër politike”.
Një qytetar tha nga protesta se gjendja ekonomike dhe sociale është shumë e vështirë dhe se të rinjtë nuk kanë asnjë mbështetje.
“13 vitet e fundit morëm dishesën me 200 km/orë. E mbyllëm aktivitetin. Shkuam në falimentin me këtë qeveri, që e ka mbytur paraja e pisët. Vajza është kthyer në Vlorë, por është jashtë mase e dëshpëruar”, tha ai.
Një i ri, nga protesta u ndal te drejtimi i Partisë Demokratike dhe faktit që Sali Berisha, si mjek i njohur nuk ka ngritur asnjëherë problemet e shëndetësisë në vend.
“Nuk ka skaner, ambulanca dhe ilaçe. Në spitalet rajonale dhe qendrore, ka problematika të mëdha. Që në hyrjen e spitalit, parkon makinën do paguash, fillon korrupsioni që tek dera e spitalit”, tha ai.
Nga podiumi i ngritur përpara Kryeministrisë, një qytetar bëri thirrje për mobilizim të gjerë të shoqërisë, duke iu drejtuar veçanërisht intelektualëve, mësuesve, bluzave të bardha dhe fermerëve.
“Më 14, 15, 16 diaspora në Tiranë dhe të gjithë qytetarët në Shqipëri të bashkohen në shesh”, u shpreh ai.
Pas fjalimeve te Kryeministria, protestuesit kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës.
Dita e 71-të e protestës; Fotoreporter: Florian Abazi 1 nga 9/e.i/r.e/