Protesta e 88-të për Zvërnecin në Tiranë

TIRANË, 26 gusht/ATSH/ Qytetarët kanë nisur marshimin nga sheshi “Skënderbej” drejt Kryeministrisë, sot, në ditën e 88-të të protestës kundër investimit në Zvërnec.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit janë nisur përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të godinës së Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet e organizatorëve dhe pjesëmarrësve.
Protesta nisi fillimisht si reagim ndaj projektit të investimit turistik në Zvërnec, ndërsa gjatë ditëve të vijimit kërkesat e protestuesve janë zgjeruar në çështje politike dhe institucionale.
Pjesëmarrësit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e asaj që e cilësojnë “kastë të vjetër” politike, si dhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Në protestë janë ngritur gjithashtu shqetësime për korrupsionin, punësimin, investimet strategjike dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Qytetarët shprehen se do të vijojnë protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre, ndërsa tubimi i sotëm vijon përpara Kryeministrisë me fjalime dhe mesazhe drejtuar qeverisë.
Protesta e 88-të; fotoreporterë: Florian Abazi & Andrin Hoxha 1 nga 19/gj.m/r.e/