E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e 99-të për Zvërnecin në Tiranë, paraqiten edhe kërkesa politike

TIRANË, 6 shtator/ATSH/ Në Tiranë po zhvillohet sot protesta e 99-të, kundër investimit turistik të planifikuar në Zvërnec dhe me kërkesa për ndryshime politike.

Protestuesit u mblodhën në sheshin “Skënderbej” për të marshuar më pas drejt Kryeministrisë, ku mbahen fjalimet në foltoren e improvizuar.

Qytetarët vijojnë të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.

Një qytetar u shpreh se “Paketa e Maleve” po djeg Shqipërinë!

“Vetëm dorëheqja e kësaj Qeverie mund të krijojë hapësirë për zgjedhje të lira. Protesta nuk është e partive. Është kundër establishmentit komunist prej 35 viteve”, tha ai.

Një tjetër i moshuar u shpreh se po thonë që “do hyhet në Evropë me pension 100 mijë lekë”!

“Në 12 shtator do të jetë një nga protestat më të mëdha që keni parë në Shqipëri. Do vijnë edhe nga Diaspora. Do mblidhemi përpara Kryeministrisë dhe do rrimë aty 24 orë pa lëvizur”, tha ai.

E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.

Gjatë protestës, qytetarët ngritën shqetësime për ekonominë, emigracionin, pensionet, sigurinë dhe funksionimin e institucioneve, duke përcjellë kërkesat e tyre përmes pankartave dhe deklaratave.

Protestuesit kërkuan ndryshim të kastës politike, teksa protesta vijoi përpara sheshit përballë Kryeministrisë.

/e.i/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›