Protesta e AK-së, Ambasada e SHBA paralajmëron shtetasit e saj
Janë 20 mijë vetë në shesh. Spahiu: PS të ikë nga Kuvendi i gangsterëve, ska rrëmuja
BLEDAR HOTI
Ambasada amerikane në Tiranë u kërkon qytetarëve të saj që të shmangin lëvizjen në sheshin Nënë Tereza dhe në bulevardin Dëshmorët e Kombit në kohën kur Aleanca Kuqezi do të zhvillojë protestën e saj kundër qeverisë. Në një njoftim në faqen zyrtare të ambasadës së SHBA-së kërkohet që të kihet kujdes, pasi këto protesta kanë tendenca të kalojnë në dhunë. Ambasada e SHBA në Tiranë njofton shtetasit amerikanë se Aleanca Kuqezi do të mbajë një miting më 7 prill, 2013, 11:00-12:00. Protesta do të fillojë në sheshin Nënë Tereza dhe të vazhdojë në drejtim të zyrës së Kryeministrit për në bulevardin Dëshmorët e Kombit përballë ndërtesës së Parlamentit. Aleanca Kuqezi (RBA) vlerëson se 20.000 njerëz do të marrin pjesë në tubim. Personeli i Ambasadës së SHBA-së është këshilluar të shmangë këtë ngjarje dhe çdo zonë ku demonstrata do të ndodhë dhe për të kufizuar të gjitha udhëtimet e panevojshme gjatë protestave, thuhet në njoftimin online. Gjithashtu ajo i fton qytetarët e saj apo punonjësit e personelit të rishikojnë planet e sigurisë. Qytetarëve të SHBA-së u kujtojmë se të gjitha tubimet publike dhe demonstrata kanë potencialin për tu kthyer në konfrontuese dhe të precipitojnë në dhunë. Ju duhet të ushtroni kujdes nëse jeni në afërsi të ndonjë tubimi të madh, protestave apo demonstratave. Tubimet e mëdha publike mund të ndikojnë në të gjitha arteriet kryesore hyrëse të qytetit ku do të zhvillohen. Demonstratat në një qytet kanë potencial të çojnë në mitingje të tërhequra edhe publike apo demonstrata në lokalitete të tjera. Rishikoni planet tuaja personale të sigurisë; jini të vetëdijshëm për vendbanimin tuaj, duke përfshirë edhe ngjarjet lokale dhe monitoroni stacionet lokale të lajmeve për përditësime. Mbani një nivel të lartë të vigjilencës dhe merrni masat e duhura për të rritur sigurinë tuaj personale, thuhet në sitin zyrtar të ambasadës.
AK, Balla: Protesta jonë paqësore
Aleanca Kuqezi ftoi dje qytetarët shqiptarë të marrin pjesë në protestën e paralajmëruar si një 7 prill, pa Berishën. Kreu i AK-së për Tiranën, Rezar Balla, deklaroi se kjo është protesta patriotike, e cila kërkon mbështetjen e mbarë popullit shqiptar për ti dhënë mesazhin e fortë të fuqisë së bashkimit të zemrave kuqezi në përpjekje për të rifituar lirinë, të drejtat dhe për të marrë në dorë fatet e Shqipërisë. Gjithashtu AK e cilëson tubimin e sotëm një protestë pa një flamur të posaçëm, por patriotik. Tirana ka parë dhe përjetuar qindra protesta, por kurrë një protestë patriotike, prandaj Aleanca Kuqezi u bën apel të gjitha strukturave ligjzbatuese, Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Shërbimit Informativ Shtetëror, të mos bëhen pengesë e protestës së patriotëve shqiptarë. Ne, ju ftojmë të bashkoheni ditën e diel, ora 11:00, në sheshin Skënderbej, në protestën ku nuk do të ketë as banderola politike, as flamuj politikë. Atë ditë do të lartësojmë në skaje simbolet kombëtare të shqiptarëve. Një protestë patriotike, për të parën herë, të gjithëve na takon të bashkohemi për të lëshuar mesazhin e fortë se prosperiteti i kombit shqiptar nuk mund të tregtohet në tavolinat e asnjë force apo kampi politik, theksoi Balla. Kryetari i AK-së, Kreshnik Spahiu, në një intervistë për Top Channel, u shpreh se kemi marrë të gjitha masat për të parandaluar incidentet. Unë do të jem i pari në krye të protestës, policia të mos na provokojë. Ne u kemi bërë thirrje shqiptarëve se të dielën kemi dy kërkesa: Dorëheqjen e Berishës dhe dorëzimin e tij para drejtësisë dhe thirrjen PS-së dhe opozitës shqiptare të tërhiqen dhe të bojkotojnë Kuvendin e Gangsterëve. Ne jemi të vendosur që shqiptarëve të mos u japim as 21 janar, as mars 97-98 as 2 prill, por jemi të vendosur, që mijëra shqiptarë të dielën të mbajnë në duar flamurin kuqezi. I kemi marrë të gjitha masat për të evituar çdolloj provokimi dhe u bëjmë të gjithë punonjësve të policisë dhe Gardës se të dielën nuk kanë kë të mbrojnë dhe nuk kanë nga kush të mbrohen. Lideri i kuqezinjve, Kreshnik Spahiu, do të jetë në krye të manifestimit, unë do të jem i pari atje në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i pari në dyert e Kryeministrisë dhe kjo është garancia më e madhe që mund të japësh për mbështetësit dhe për kauzën”, tha Spahiu.
Simbolika
AK ka zgjedhur 7 prillin ditën e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste 74 vite më parë
Spahiu
Kreu i AK-së u shpreh se Berisha është pushtuesi i fundit i Shqipërisë, do kërkojmë dorëheqjen e Berishës
Ambasada
Në faqen zyrtare të ambasadës shtetasit amerikanë paralajmërohen të shmangin rrugët kryesore ku do të mbahen protestat e paralajmëruar të AK-së, e cila do të bllokojë qendrën e Tiranës
Protesta e AK-së, Ambasada e SHBA paralajmëron shtetasit e saj burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email