E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e ekstremit të djathtë në Hagë degjeneron në dhunë, policia shpërndan turmën dhe bën arrestime

Një protestë e organizuar nga grupe të ekstremit të djathtë në qytetin e Hagës është ndërprerë nga autoritetet holandeze pasi situata ka kaluar në dhunë. Forcat e ndërhyrjes së shpejtë të policisë kanë ndërhyrë për të shpërndarë disa qindra protestues, pas vendimit të autoriteteve lokale për të ndaluar marshimin e planifikuar kundër politikave të imigracionit dhe azilit.

Gjatë përleshjeve, disa protestues kanë hedhur fishekzjarre dhe sende të ndryshme drejt efektivëve, duke sjellë edhe arrestimin e disa prej tyre.

Reagimi i qeverisë dhe incidentet në Malieveld

Ngjarja ka ngritur shqetësim të lartë në nivel institucional. Ministri i Drejtësisë, David van Weel, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, duke kërkuar një përgjigje “jashtëzakonisht të vendosur” ndaj atyre që i cilësoi si “skena të neveritshme” gjatë tubimit.

Ministri dënoi veprimet e demonstruesve, duke vënë njoftuar se gjatë protestës janë bërë përshëndetje naziste, janë brohoritur slogane antisemite dhe janë sulmuar efektivët e policisë me fishekzjarre. Në fjalën e tij, ai shprehu mirënjohje për punën e forcave të rendit.

“Faleminderit të gjithë oficerëve të policisë që po mbrojnë përsëri sundimin tonë demokratik të ligjit.”, tha ai.

Bashkia e Hagës ndërhyri duke ndaluar marshimin menjëherë sapo shpërtheu dhuna mes pjesëmarrësve të mbledhur në parkun qendror Malieveld, duke urdhëruar më pas shpërndarjen e plotë të turmës. Këto trazira vijnë saktësisht një vit pas incidenteve të ngjashme të ndodhura gjatë një demonstrate tjetër të krahut të djathtë, ku u dogj një makinë policie dhe u sulmua selia e partisë D66, drejtuesi i së cilës, Rob Jetten, mban aktualisht detyrën e kryeministrit.

  • /rtsh.al/

    Më shumë nga Aktualitet

    Të gjitha ›