E Enjte, 5 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, Berisha: Lironi protestuesit, beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit

TIRANË, 8 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë fjalës së tij në tubimin me qytetarët pranë banesës së tij, u ka bërë thirrje autoriteteve për lirimin e disa protestuesve të arrestuar gjatë protestës së zhvilluar të hënën në Tiranë.

Kreu i PD, në fjalën e tij falenderoi protestuesit për pjesëmarrjen dhe theksoi se ata ishin pararendës të një mosbindjeje civile që do të çonte në formimin e një qeverie teknike dhe në zgjedhje të lira.

“Ju me protestën tuaj, me qëndresën tuaj, rezistencën e pamposhtur, mbetët pararendës të mosbindjes civile që do sjellë qeverinë teknike dhe votën e lirë të shqiptarëve.

Të dashur miq, një përshëndetje të përzemërt dua t’u përcjell demokratëve, të cilët narko-komisarët e pabesë i kanë arrestuar, Xhevahir Rrushin, Gentian Tugën, Ilir Tushën dhe Sokol Bushkolën. I garantoj se PD, demokratët dhe demokratet, mbarë populli opozitar çdo minutë është me ta, gjer në lirimin e tyre të plotë. Lironi vëllezërit, kjo është thirrja jonë”, tha Berisha.

“Beteja e djeshme dëshmoi zgjimin e luanit”, shtoi më tej kreu i PD.

Berisha reagoi dhe për programin “Paketa e Maleve”, të prezantuar sot nga kryeministri Edi Rama, Berisha u shpreh se “investimet e tij në zonat malore nuk bëhen jo sa tuneli i Llogorasë, kurrën e kurrës, por as sa ka vjedhur ai në tunelin e Llogorasë.”

“U them atyre që duan të investojnë se 8 vite do t’i kenë të garantuara, por pronën e tjetrit mos e prekni. Larg duart nga prona e tjetrit”, u shpreh Berisha, ndër të tjera, duke paralajmëruar se, “beteja të ardhshme së shpejti na presin, na ftojnë.”

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›