Protesta mbarëkombëtare në Francë, studentëve iu bashkuan sindikatat dhe jelekverdhët

Protestat që filluan në fund të shtatorit nga nxënësit e shkollave të mesme në periferitë e Parisit të nxitura nga mungesat në stafin e mësuesve dhe godinat e shkatërruara, u shndërruan shpejt në një lëvizje mbarëkombëtare kundër kostove të larta të jetesës.
Këtë të shtunë thirrjes se tyre iu bashkuan mijëra qytetarë, sindikatat dhe aktivistë të jelekverdhëve, lëvizja e cila shpërtheu në vitin 2018 si një protestë kundër taksave mbi naftën. Protestuesit u përplasën me policinë në Paris dhe qytete të tjera. Ata hynë në bashkinë e qytetit të dytë më të madh të Francës, Marsejës, përpara se të detyroheshin të largoheshin nga policia.
“Po marrim Bastijën”- thërriti një demonstrues në Marsejë, ndërsa protestues të maskuar goditën portën e selisë së bashkisë, duke iu referuar sulmit të vitit 1789 ndaj Kështjellës që shënoi fitoren e Revolucionit Francez. Në Paris, policia hodhi ujë dhe gaz lotsjellës pasi qindra protestues, shumica me maska ndezën fishekzjarrë dhe u përleshën me ta. Protestuesit hodhën sende të forta edhe ndaj zyrave të dy transmetuesve francezë duke u thyer xhamat.
Protesta në Paris detyroi policinë të mbyllë stacionet e metrosë në qendër të kryeqytetit dhe çoi në arrestimin e mbi 60 personave. Sipas raportimeve në të gjithë vendin u arrestuan mbi 160 protestues. Demonstratat ka shtuar presion mbi qeverinë e Presidentit Emmanuel Macron, i cili ka hyrë në muajt e fundit në pushtet.
Ndërsa ai vetë bëri thirrje të premten për qetësi dhe respekt, duke shtuar se e drejta për të protestuar shkon së bashku me respektin për njerëzit dhe pronën. Protesta studentore të shtunën u regjistruan edhe në Belgjikë, ndërsa të premten të rinjtë zhvilluan tubime në disa qytete në Itali.
/rtsh.al/