Protesta në Tiranë, procedohen penalisht 15 persona për bllokim të rrugëve

Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 15 shtetas në lidhje me tubimin e zhvilluar në kryeqytet, të cilët dyshohen për organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme, prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit.
Procedohen shtetasit me iniciale A. G., G. P., A. T., D. G., L. K., E. S., A. K., E. L., V. D., G. K., A. P., Dh. C., A. B., L. G. dhe F. K.
Sipas policisë tubimi ishte njoftuar të zhvillohej nga ora 19:00 deri në 22:00 në Sheshin “Skënderbej” dhe në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, por pjesëmarrësit vijuan lëvizjen edhe në disa akse të tjera rrugore të kryeqytetit.
Sipas hetimeve, qarkullimi i automjeteve u bllokua në Rrugën e Elbasanit, zonën e 9-Katësheve, ish-Bllok dhe në segmente të Unazës, duke tejkaluar orarin dhe perimetrin e miratuar për zhvillimin e tubimit.
Në cilësinë e provës materiale, Policia sekuestroi një automjet dhe dy aparate celularë, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/