Protesta në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, 60 autobusë në Tiranë nga Kosova

PRISHTINË, 14 tetor/ATSH/ Mbi 60 autobusë me qytetarë do të nisen nga Kosova drejt Tiranës për të marrë pjesë në protestën gjithëkombëtare që do të mbahet në kryeqytetin shqiptar më 17 tetor nga ora 17:00 në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Kështu deklaroi në një konferencë për medie, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, i cili tha se përgatitjet për këtë protestë kanë shkuar edhe më mirë sesa ishte menduar.
Gucati theksoi se protesta po organizohet kundër padrejtësive në procesin gjyqësor në Hagë, kundër ish-krerëve të UÇK-së.“Ne kemi gjetur mbështetje shumë të madhe nga qytetarët e Shqipërisë, nga institucionet shqiptare nga qeveria. Protesta ka karakter gjithmonë jo kundër gjykatës, jo kundër drejtësisë, por kundër padrejtësisë që po ndodh në Hagë tashmë e 5 vite. Jemi në përfundim të organizimit. Të premten do të mbahet protesta. Mendoj se numri i qytetarëve do të jetë bukur i madh që vetëm nga Kosova i kemi mbi 60 autobusë të konfirmuar nga nga tri shoqatat që janë organizatore”, theksoi ai.
Kreu i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati tha se kjo protestë ka gjetur mbështetje dhe nga partitë politike në vend si PDK dhe AAK.Në këtë protestë pritet të marrë fjalën ish-presidenti shqiptar, Alfred Moisiu, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përfaqësues nga OVL-UÇK.
Diaspora shqiptare e mbështetur nga shqiptarë kudo nga Kosova e vende të ndryshme kanë protestuar në Hagë më 14 shtator në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së qw po gjykohen në Hagë. /KosovaPress/