E Martë, 3 Nëntor 2026

Protesta para Policisë së Tiranës për 6 të arrestuarit: “Lironi çunat”

Protesta para Policisë së Tiranës për 6 të arrestuarit: “Lironi çunat”

Protesta e 31-të radhazi, ku qytetarë dhe aktivistë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, është shoqëruar me tensione të forta para Kuvendit, ndërsa më pas është zhvendosur përpara Drejtorisë së Policisë së Tiranës, pas shoqërimit të gjashtë protestuesve.

Gazetari i SYRI-t, Klajdi Bodlli, raportoi nga vendngjarja se protestuesit akuzojnë policinë për përdorim të dhunës gjatë ndërhyrjes për shpërndarjen e tubimit, ndërsa disa pjesëmarrës janë shoqëruar me forcë në ambientet e Drejtorisë së Policisë.

Pas ndalimit të gjashtë personave, dhjetëra qytetarë u mblodhën përpara policisë, ku prej disa orësh vijojnë protestën me thirrjet “Lironi çunat”, duke kërkuar lirimin e të arrestuarve dhe duke denoncuar, sipas tyre, sjelljen e efektivëve gjatë ndërhyrjes.

Sipas raportimit nga terreni, protesta pritet të vazhdojë deri në orën 19:00, ndërsa më pas organizatorët do të vendosin për hapat e mëtejshëm. Ende nuk është bërë e ditur nëse tubimi do të vijojë para Drejtorisë së Policisë së Tiranës apo do të zhvendoset drejt Kryeministrisë.

Mes të arrestuarve ndodhet edhe Dritan Goxhaj, ndërsa identitetet e personave të tjerë të shoqëruar nuk janë bërë ende publike.

Njëri prej organizatorëve të protestës, Arben Kola, deklaroi se protestuesit do të qëndrojnë në terren deri në lirimin e të ndaluarve, duke theksuar se vendimi për vijimin e protestës në një tjetër vend do të merret në orët në vijim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›