Protestat në Iran/ Trump shqyrton mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, Teherani kërcënon Izraelin

Presidenti i SHBA, Donald Trump, po shqyrton një sërë opsionesh të mundshme ushtarake ndaj Iranit, pas protestave antiqeveritare që kanë shkaktuar dhjetëra viktima.
Sipas “CNN“, Trump është informuar ditët e fundit mbi plane të ndryshme ndërhyrjeje, përfshirë edhe opsione që nuk përfshijnë përdorimin e drejtpërdrejtë të forcës ushtarake amerikane.
Disa nga skenarët e diskutuar fokusohen në shënjestrimin e shërbimeve të sigurisë iraniane që po përdoren për shtypjen e protestave.
Megjithatë, brenda administratës amerikane ka shqetësime se një ndërhyrje ushtarake mund të ketë efekt të kundërt, duke bashkuar popullin iranian rreth regjimit ose duke nxitur hakmarrje ushtarake nga Teherani. Zyrtarët amerikanë theksojnë se Trump ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar dhe se opsionet në shqyrtim nuk përfshijnë dërgimin e trupave tokësore në Iran.
Ndërkohë, Sipas Agjencisë së Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut, “HRANA)”, numri total i viktimave që nga nisja e protestave ka shkuar në të paktën 203 persona, përfshirë 41 efektivë të forcave të sigurisë.
“HRANA” bën të ditur se të paktën tetë nga protestuesit e vrarë ishin nën moshën 18 vjeç, ndërsa mbi 3,285 persona janë arrestuar nga autoritetet iraniane.
Grupi thekson se shifrat mund të jenë më të larta, për shkak të kufizimit të aksesit në internet dhe komunikimeve telefonike në të gjithë vendin.