Protestat në Iran, mbi 4 mijë të vrarë dhe mijëra të arrestuar

Protestat masive në Iran kanë hyrë sot në ditën e 24-t, mes një represioni të ashpër nga autoritetet dhe një bllokade pothuajse totale të internetit dhe komunikimeve. Qeveria iraniane po përpiqet të frenojë përhapjen e informacionit jashtë vendit mbi kryengritjet qytetare që kërkojnë liri dhe fundin e regjimit teokratik.
Sipas Agjencisë së Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (Hrana), të paktën 4.029 persona janë vrarë që nga shpërthimi i protestave më 28 dhjetor. Mes viktimave raportohet se janë 28 të mitur dhe 35 civilë që nuk merrnin pjesë në protesta, ndërsa 180 të vrarë janë anëtarë të forcave të sigurisë ose persona të lidhur me regjimin. Hrana bën të ditur gjithashtu se 9.049 vdekje të tjera janë ende në proces verifikimi.
Numri i arrestimeve ka arritur në 26.019 persona, ndërsa raportohen 5.811 protestues të plagosur rëndë dhe 167 raste rrëfimesh të detyruara. Për shkak të ndërprerjeve të komunikimit, organizatat për të drejtat e njeriut paralajmërojnë se bilanci real mund të jetë shumë më i lartë.
Ndërkohë, princi Reza Pahlavi ka reaguar në rrjetet sociale me tone të ashpra kundër Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei, duke e akuzuar për krime kundër popullit iranian dhe duke paralajmëruar se ai do të përballet me drejtësinë.
Në mbështetje të tij, hakerë të panjohur kanë ndërprerë transmetimet satelitore të televizionit shtetëror iranian, duke transmetuar mesazhe që bënin thirrje për mosbindje të forcave të sigurisë dhe për bashkim me popullin. Zyra e Pahlavit ka konfirmuar ndërprerjen e transmetimeve, ndërsa autoritetet iraniane nuk kanë dhënë sqarime zyrtare.
Shtypja brutale e protestave ka sjellë pasoja edhe në arenën ndërkombëtare. Ftesa për ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, për të marrë pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos është tërhequr, si reagim ndaj vrasjeve të civilëve.
Protestat vazhdojnë në disa qytete të vendit, ndërsa situata mbetet e tensionuar dhe e paqartë.