E Enjte, 5 Nëntor 2026

Protestat në Tunizi, presidenti shkarkon kryeministrin dhe “ngrin” parlamentin

Presidenti tunizian Kais Saied pezulloi punën e parlamentit për 30 ditë dhe shkarkoi kreun e qeverisë Hichem Mechichi pas një dite protestash kundër ekzekutivit.

Kreu i Shtetit i njoftoi këto masa në një kohë kur Tunizia përballet me kulmin e epidemisë Covid dhe një krizë të thellë politike që ka paralizuar vendin për muaj me radhë. Demonstrata të dhunshme u regjistruan në disa qytete, ndërkohë që policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.

“Ne kemi vendosur të pezullojmë Parlamentin dhe të heqim imunitetin e deputetëve. Kushdo që mendon të përdorë armët dhe kushdo që qëllon qoftë edhe një herë, e di se forcat e armatosura do të përgjigjen duke qëlluar”, tha presidenti Saied.

E gjithë zona përreth ndërtesave qeveritare aktualisht është e blinduar dhe e mbrojtur nga forcat e sigurisë, parlamenti, selia e televizionit dhe ndërtesa e qeverisë.

Drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Presidenciale, Khaled Yahyaoui, është emëruar përkohësisht në krye të Ministrisë së Brendshme.

Saied theksoi se ngrirja e Parlamentit për 30 ditë, heqja dorë nga imuniteti i deputetëve dhe shkarkimi i Kryeministrit nuk përfaqësojnë “një grusht shteti”./A2

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›