Protestuesit bllokojnë hyrjen kryesore të Kryeministrisë, përplasje me policinë

TIRANË, 1 shtator/ATSH/ Për të 94-tën ditë radhazi, qytetarë dhe aktivistë të shoqërisë civile zhvilluan sot protestë në Tiranë kundër investimit të planifikuar në Zvërnec, duke kërkuar mbrojtjen e zonave të mbrojtura, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimin e ligjit zgjedhor.
Protestuesit u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, nga ku nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë.
Ndryshe nga netët e tjera, kur qytetarët marshonin drejt godinës së Kryeministrisë dhe qëndronin përpara saj, këtë herë një pjesë e tyre ishte vendosur në një prej hyrjeve anësore, pranë Piramidës, duke penguar kalimin.
Forcat e Policisë së Shtetit ndodheshin rreth godinës së Kryeministrisë, në përpjekje për të menaxhuar situatën dhe për të shmangur bllokimin e hyrjeve.
Protestuesit tentuan të hyjnë drejt Kryeministrisë duke krijuar momente tensioni, por u ndalën nga forcat e Policisë, të cilat kishin krijuar një kordon e barriera për të penguar afrimin e tyre.
Forcat e rendit nuk lejuan kalimin e protestuesve drejt godinës, ndërsa situata vijoi të ishte e tensionuar.
Qytetarët vijuan të përsërisin kërkesat për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, largimin e “kastës së vjetër” politike, shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura, ndryshimin e ligjit zgjedhor etj.
E nisur si reagim ndaj ndikimit mjedisor të projektit turistik në Zvërnec, tashmë pjesëmarrësit kërkojnë ndryshime politike dhe institucionale dhe shprehin shqetësimet e tyre për korrupsionin, mundësitë e punësimit dhe largimin e të rinjve nga vendi.
Pas momenteve të tensionit protestuesit janë larguar nga ambientet e jashtme të godinës së Kryeministrisë për të vijuar marshimin drejt komisariatit Nr. 3, ku Policia kishte shoqëruar disa protestues pas përplasjes para hyrjes së Kryeministrisë.
Protesta e 94-t; fotoreporter: Andrin Hoxha 1 nga 25/k.s/r.e/