Protestuesit bllokojnë rrugët në Tiranë, Rama replikë me “Demokratët Europianë”: A do ta dënonit edhe këtë pa justifikime?

TIRANË, 9 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish mbrëmjen e sotme ndaj qëndrimeve të Partisë Demokratike Europiane lidhur me protestên që vijon në Tiranë.
Nê një postim në rrjetin “X”, Rama ka kundërshtuar qëndrimin e kësaj force politike ndaj akteve të dhunës nga pjesëmarrësit në protestë.
Rama publikoi pamje nga bllokimi i disa akseve rrugore në kryeqytet nga protestuesit duke mos lejuar makinat dhe shërbimin e transportit publik të qarkullojnë normalisht.
Reagimi i plotë i Kryeministrit Rama:
Gjyshja ime e mrekullueshme më mësoi urtësinë e vjetër latine: errare humanum est, perseverare diabolicum. Të gabosh është njerëzore, por të këmbëngulësh në të njëjtin gabim është djallëzore.
Përgjigjja juaj, @democrats_eu, më bën të pyes veten nëse pikërisht politikanë si ju kanë frymëzuar pjesën e dytë të kësaj shprehjeje.
Ju e dënuat dhunën ndaj përfaqësuesve të zgjedhur vetëm pasi unë jua vura pamjet përpara syve. Dhe më pas, menjëherë, e minimizuat atë duke e quajtur “akte të izoluara”.
Prej 101 ditësh, protesta është zhvilluar në bulevard pa asnjë problem sa i përket të drejtës për t’u tubuar, për të folur dhe për të kritikuar.
Por të pengosh fizikisht deputetët e zgjedhur që të hyjnë në Parlament dhe të abuzosh me një deputete të respektuar, e cila thjesht po përpiqet të shkojë në vendin e saj të punës, nuk është kundërshtim. Është dhunë.
Dhe e dini çfarë? Ja ku vjen tani një tjetër shembull i freskët i “akteve tuaja të izoluara”. Protestuesit bllokojnë një kryqëzim të qytetit, rrethojnë makinën e një qytetari të zakonshëm, i cili thjesht kërkon të kalojë, dhe fillojnë ta godasin atë. Për çfarë është fajtor ai, saktësisht? Sepse po përpiqet të vazhdojë rrugën e tij?
A do të kishit mirësinë ta dënonit qartë edhe këtë, pa asnjë justifikim?
Unë nuk po e përdor dhunën e disave për të diskredituar çdo protestues. Jeni ju që po përdorni sjelljen paqësore të shumëkujt për të minimizuar dhunën e të tjerëve.
Hajde, tregohuni të guximshëm dhe thuajeni:
Ky nuk është kundërshtim. Është dhunë.