E Diel, 1 Nëntor 2026

Prurjet në kaskadën e Drinit arrijnë 3500 m³/s, KESH nis shkarkimet nga Vau i Dejës dhe Komani

TIRANË, 6 janar/ATSH/ I gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dendura shiu, ndërsa prurjet në kaskadën e Drinit janë rritur ndjeshëm.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare (KESH) ka nisur shkarkimet në mënyrë të kontrolluar nga hidrocentralet e kaskadës, për të menaxhuar situatën hidrike dhe për të garantuar sigurinë e digave dhe të zonave poshtë tyre.

Sipas të dhënave të fundit nga KESH, prurjet natyrore në kaskadë aktualisht janë 3500 m³/s, ndërkohë që shkarkimet po kryhen në nivele të kontrolluara.

HEC-i i Vau i Dejës po shkarkon 700 m³/s, ndërsa HEC-i i Komanit po kryen shkarkime po ashtu 700 m³/s.

Nivelet i liqenit të Fierzës ka arritur 281,2 metra, ai i liqenit të Komanit ka arritur 174,2 metra, ndërsa niveli i liqenit të Vaut të Dejës ka arritur 74,9 metra.

KESH thekson se monitorimi i vazhdueshëm i prurjeve, niveleve të liqeneve dhe shkarkimeve po kryhet 24 orë në 24, sipas protokolleve të sigurisë së digave.

KESH thekson se prioritet mbetet siguria e popullsisë dhe stabiliteti i sistemit hidroenergjetik, ndërsa menaxhimi i burimeve ujore po kryhet me kujdes maksimal dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare të sigurisë.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›