Pse deputetët e djathtë s'kërkojnë heqjen e statusit të Moisiut?!
Unë u kam thënë kryeministrave me të cilët kam bashkëpunuar dhe të tjerëve, se për mendimin tim, unë mund të jem i gabuar nuk e di, por këtë mendim e kam, që si organizator, si drejtues, qeveritar, unë nuk e di kur do ti vijë një figurë e tillë.... Kështu thotë më 28 prill 2010 në një intervistë Alfred Moisiu, ish-president për ish-shefin e tij, ish-kryeministrin Mehmet Shehu, duke sjellë nostalgjinë e tij të kultit të eprorit, shefi ekzekutiv në diktaturën e gjatë.
E çuditshme, një ish-president i demokracisë ka më shumë nostalgji për Mehmet Shehun sesa djali i tij, Bashkimi, i cili e quan diktator në një libër të botuar pas përmbysjes së komunizmit! Zoti Moisiu, apo shoku Moisiu siç besoj se të kanë thirrur vartës e të tjerë deri në vitin 1982, kur u shkarkuat si ish-zëvendësministër Mbrojtjeje, nga ku ju buron dhe nostalgjia emocionale për Mehmet Shehun në arkivin e të cilit garohet me Enver Hoxhën për vrasje. Larg qoftë të kesh të drejtë, nuk është Mehmet Shehu Kryeministri më i mirë që kemi pasur. Mjafton kjo ethe deklaratë që deputetë të mazhorancës të marrin një nismë të propozojnë ti hiqet statusi ish-president, një ish-presidenti që vajton Mehmetin apo nesër ashtu si e ka nisur, edhe Enverin. Kjo është fyerje për votën që një pjesë e madhe e tyre kanë dhënë e asnjëri besoj, së paku nga deputetë të PD-së, nuk do të ishte dakord të votonte për Mehmet Shehun e Enver Hoxhën, ashtu si përzgjedh ish-presidenti Alfred Moisiu me një karshillëk arrogant ndaj të djathtëve e të persekutuarve, familjet e të cilëve kanë dhimbje jo të vogla nga dashuria politike e Moisiut. Mirë do ishte për deputetë demokratë që përfaqësojnë edhe viktimat e Mehmetit të reagonin ndaj ish-shokut President, ndoshta dhe më një nismë parlamentare. Sepse shikohet pastër se ish-kreu i shtetit ka gjetur veten në Partinë Socialiste dhe vazhdon tryezat sa herë ata ia kërkojnë duke përcaktuar edhe temat, objektet, e shndërruar në takime të tipit V. Kosta1, V. Kosta 2 e ndoshta në të ardhmen një ftesë tjetër me ndonjë shkëlqesi ambasador që dëshiron patjetër ti bëjnë nder drejtësisë me deklaratat e tij të shpeshta, por gjithnjë e më shumë të çuditshme.
Le të shkojmë pak më gjatë në tryezën në forumin e organizuar nga shoqata që përfaqësojnë ish-presidentët. Duke parë ish-presidentin Alfred Moisiu, ish-presidentin Rexhep Mediani, ish-prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, ish-kryetarin e Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, dhe Shkëlqësinë e tij, Ambasadorin Amerikan në një forum për drejtësinë ku u fol më tepër për politikën për hallet e Partisë Socialiste, më ra ndër mend prania e ish-presidentit Moisiu në media gjithnjë e më shpesh me dhe pa sebep me të vetmin synim për të përcjellë atë që ka ndërmend opozita. Përse vijmë në këtë gjykim që nuk është aspak pa përmbajtje dhe i nxituar?
Dy ish-kryetarë të KLD, si dy ish-presidentë, njëri drejtues në PS, e tjetri përkrahës i shumtë në nisma të PS, një ish-kryetar i Gjykatës së Lartë, Thimio Kondi, dikur ministër Drejtësie i qeverisë së PS-së, një ish-prokuror i Përgjithshëm. Theodhori Sollaku, shkarkuar nga mazhoranca dhe fortmbrojtur nga PS dhe ish-presidenti Moisiu që nuk firmoste shkarkimin e tij, kishin ftuar dhe dy-tre ambasadorë që të dëgjonin për hallin e zotit V. Kosta, një kandidat i rrëzuar nga Parlamenti për pjesëmarrje në procese të kohës së shkuar të diktaturës. Ky format kishte padyshim dhe shkëlqesinë e tij, zotin John Withers, ambasadorin amerikan që foli aq gjatë sa shkurt foli Moisiu me të tjerët, duke të bërë të mendosh se ishte një konferencë e organizuar vetëm për të folur shumë gjatë shkëlqesia e tij, të cilit çdo vendim i mazhorancës që nuk miratohet nga opozita i duket i çuditshëm. Janë këta personazhe të kësaj tryeze, të këtij forumi me firmat e tyre kur kanë qenë në detyrë, kryetarë të KLD-së, apo anëtarë të këtij institucioni të rëndësishëm, drejtues konferencash gjyqësore, drejtues prokurorie që kanë emëruar apo shkarkuar pothuaj gjithë Qeverinë e Drejtësisë. Kanë qenë firmat dhe propozimet e tyre që kanë prodhuar drejtuesit, juristë me kujtesë nga e kaluara. E kështu këtë herë të mbetur jashtë ndikimit për emrat e tyre të preferuar, apo duke parë se mund të mos jenë pjesë e të shkuarës që ata sjellin, vijnë me reagime gjoja për hatër të V. Kostës. Mos kanë merakun e miqve të tyre në këto institucione që ka nisur tu bjerë ndikimi dominues gjithnjë i së shkuarës? Tjetër gjë që ra në sy në tryezën ku merrte pjesë edhe shkëlqesia Ambasador, ishte fakti që asnjëri nuk përmendi se dy emrat e tjerë të votuar ishin në kuadër te standardeve të kërkuara dhe meritonin një përshëndetje cilësore. Po si nuk u kujtua asnjë nga Presidentët të thoshte të paktën nëse mazhoranca bëri mirë apo jo që votoi dy kandidaturat e tjera për gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese?!.
Në këtë kulm meraku për drejtësinë do të ishte me shumë vend për anëtarët e nderuar të tryezës që të linin mënjanë politikën ca sekonda e të rikërkonin për të mbështetur nismën e mazhorancës për kufizimin e imunitetit të zyrtarëve të lartë, sepse dhe prokurorja Ina Rama, e cila gëzon një mbështetje të admirueshme nga Shkëlqesia Withers, ka pohuar se kjo po shërben si një pengesë për të luftuar korrupsionin?! Mazhoranca ka votuar heqjen e imunitetit të dy deputetëve ish-ministra, duke ia vënë në dispozicion drejtësisë. Po si nuk u kujtuan këta ish-burra shteti të thoshin se opozita duhet të votojë sa më shpejt ligjin për Gjykatën Administrative, të votojë për heqjen e imunitetit të deputetëve, gjyqtarëve, prokurorëve. Pse është gjithë ky korrupsion në gjykata e prokurori? Kush është përgjegjës dhe si mund të dalim nga kjo situatë?! Nëse do të trajtoheshin këto çështje, natyrisht nuk do të kisha arsyeje të vija në dyshim asnjërin nga pjesëmarrësit aq më tepër Tryezën e V. Kosta!
Pas këtyre argumenteve, unë kam të drejtë të them se kjo tryezë nuk ishte një lobing i njerëzve dikur shumë të pushtetshëm që kishin për qëllim të kundërshtonin vendimet e mazhorancës dhe vetëm të mazhorancës! Të habit fakti se më shumë mërzitet Alfred Moisiu dhe Shkëlqesia Withers për V. Kostën sesa Presidenti Topi që e ka propozuar atë. Kjo për faktin se nuk kemi dëgjuar asnjë reagim nga Presidenti Topi.
Unë nuk dua të paragjykoj, por një miku im që aktualisht është anëtar i KLD-së, më thoshte: A i pe të pranishmit e tryezës, nuk kishte asnjë që nuk është konfliktuar me mazhorancën, e kryesisht ish-ët, që në të gjithë pushtetin e paspushtetin e tyre janë përkrahur ose emëruar, e më pas shumëvotuar nga Partia Socialiste, që më sa duket tani u kërkon atyre këtë nder për të tensionuar ngërçin politik?. Madje të binte në sy se ndonjë diplomat që ishte i pranishmëve ka replikuar në distancë me aksione të mazhorancës, duke ofruar mbështetje për partinë e Edi Ramës. Kjo përsëritje për hatër të drejtësisë, ashtu si nuk ndodhi për çadrat e grevës së urisë në shesh, sepse edhe të nderuarit janë përdorues të pasurisë publike, ka të bëjë me një mbledhje tjetër që unë shoh në sfond. Besoj se do ketë një tryezë V. Kosta 3 dhe përse. Në votimet e bëra në Parlament për kandidatët e dekretuar nga Presidentit Topi kemi dhe një devijim të selektimit. Kreu i shtetit, Bamir Topi, në pohimet e tij premtoi se nuk do të bënte përzgjedhje kandidaturash politike, por me sa u pa nuk ndodhi aspak kështu me emrin e të nderuarit, gjyqtarit Vangjel Kosta. Mazhoranca kishte vënë në dijeni Presidentin për të dhënat që nuk ishin në favor të zotit Kosta, por sërish firma presidenciale kishte rënë mbi një kandidaturë politike e cila më pas u rrëzua. Mund të jenë aktualisht kandidatura të tjera të përzgjedhura që kanë në sfond të shkuarën e tyre jo vetëm profesionalizëm, por dhe angazhime e përzgjedhje të dukshme politike apo edhe me hije të ligjit të lustracionit që nuk mund të injorohen.
Kjo është një sinjal i ri se nuk është treguar kujdesi i duhur dhe mund të gjendemi përsëri para faktit të rrëzimit të kandidaturave