E Diel, 1 Nëntor 2026

Pse nuk flet edhe për Zharrëzën zoti kryeministër?

Share

Kryeministri Sali Berisha ishte sot në Fier, ku mori pjesë në inaugurimin e linjës së tensionit të lartë 220 kv Tiranë-Elbasan-Fier.Në fjalën e tij, kryeministri Berisha ka theksuar sërish se prioritet për qeverinë mbetet energjia e rinovueshme, ndërsa ka sulmuar edhe kreun e PS-së Edi Rama duke theksuar se ai është kundër projekteve të mëdha për zhvillimin e vendit

Energjia e rinovueshme e pastër dhe e shëndetshme. Kjo platformë nuk gjen mbështetje nga opozita. Sekretari i Edi Ramës dhe vetë ai janë shprehur kundër projekteve të mëdha. Por ne do të vijojmë me zhvillimin e vendit. Ne, ujin erën, diellin do t`i shndërrojmë në vlera për Shqipërinë një superfuqi energjetike, tha Berisha.

Por kryeministri ka kohë që e ka humbur kontaktin me realitetin e vendit të tij. Edhe pse ishte në Fier, ai nuk foli për një ngjarje të rëndë, që ka në qendër qytetarët e vendit të tij dhe një firmë të huaj. Bëhet fjalë për protestat e banorëve të Zharrëzës kundër firmës Bankers Petroleum. Policia ka arrestuar dy banorë të fshatit Sharrëz dhe thotë se 12 të tjerë do hetohen në gjendje të lirë.

Banorët, të irrituar nga fakti se disa shpërthime po u shkatërrojnë shtëpitë, fajësojnë kompaninë Bankers Petroleum se po bën shpërthime. Departamenti i Sizmiologjisë në Tiranë thotë se kanë qenë tërmete, kurse banorët thonë se kanë qenë shpërthime.

Të irrituar, të dielën në mëngjes banorët dolën nga shtëpitë e tyre dhe iu drejtuan rrugës nacionale Fier- Berat, për të protestuar. Më pas sulmuan depozitat e dekantimit të naftës, të cilat ndodhen në anë të kësaj rruge, ku kanë hapur rubinetet e 12 depozitave me kapacitet 30 metër kub për secilën, duke derdhur një sasi të konsiderueshme nafte në tokë.

Drejtori i përgjithshëm i Bankers Petrolium, Leonidha Çobo ka thënë për mediat se janë derdhur 1000 tonë naftë dhe se dëmi ekonomik që i është shkaktuar kompanisë nga derdhja e depozitave të naftës, llogaritet në 1 milionë dollarë. Ai sqaroi për gazetën Shqip se vetëm vlera e naftës së derdhur llogaritet në rreth 300 mijë dollarë, ndërkohë që operacioni për pastrimin kërkon 100 mijë dollarë. Ndërsa duhet dhe një javë për të rivënë në punë puset e naftës që prodhojnë rreth 100 tonë naftë në ditë.

Veç dëmit ekonomik që i është shkaktuar kompanisë, nafta ka shkaktuar dhe ndotje të madhe të tokës bujqësore përreth, madje dhe vetë protestuesit kanë shfaqur dobësi fizike për shkak të gazrave toksikë të çliruara në ajër pas derdhjes së naftës bruto.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›