E Diel, 1 Nëntor 2026

“Pse nuk më takon”, si nisi sherri që degradoi me përdorimin e armës në Tiranë! Disa persona të shoqëruar

Detaje të reja mësohen nga sherri mes të rinjve në lokalin në afërsi të digës së Liqenit në Tiranë ndodhur gjatë mbrëmjes së të mërkurës.

Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj raporton se fillimisht në lokal kanë shkuar 5 persona, më pas 2 të tjerë dhe më fund edhe një tjetër.

Konflikti mes tyre ka nisur pasi njëri prej tyre nuk ka pranuar t’i japë dorën dhe nuk i ka folur njërit prej djemve në tavolinë.

Pas kësaj ka nisur një debat i rëndë me fjalë banale, dhe ka përfunduar deri në përleshje të rëndë fizike, me sende të forta.

Njëri prej djemve, ka dalë jashtë, ka marrë te makina pistoletën dhe me tytën e armës ka goditur personin tjetër.

Në këtë momemt dyshohet se është qëlluar të paktën 1 herë, dhe fatmirësisht plumbi nuk ka prekur njeri.

Dyshohet se qitja ka qenë e pavullnetshme.

Pas të shtënës të gjithë personat janë larguar nga vendgjarja me disa makina.

Pasi policia mbërriti, përmes pamjeve të kamerave ka mundur të identifikojë të plotë të gjithë personat e përfshirë në konflikt.

Një pjesë e tyre janë gjetur dhe shoqëruar, përfshirë dhe shumë të tjerë si dëshmitarë, ndërsa disa janë shpallur në kërkim.

Në orët në vijim, në përfundim të marrjes në pyetje pritet t’u komunikohet masë arresti për disa prej tyre./vizionplus.tv

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›