Pse sulmohet Ismail Kadare?
Pandeli Majko - Piktura paraqet një urë dhe është e pazakontë, jo vetëm për këtë. Është bërë nga një shkrimtar. Ai quhet Viktor Hygo.
Në Tiranë, më i madhi i letrave shqipe (Ismail Kadare) u përball në gjyq me pushtetarin më jetëgjatë të shtetit shqiptar (Enver Hoxhën). Dorëshkrimi Dimri i vetmisë së madhe, i cili zotërohej nga familjarët e politikanit të vdekur, u dorëzua në Arkivin e Shtetit me vendim gjyqësor. Ishte një betejë ligjore e zakonshme në procedurë dhe e pazakontë në sensin e marrëdhënieve me kohën. Në marrëdhënie me historinë fituan të dy!
Përballë njëri-tjetrit, fitoi shkrimtari! Tjetri, bëri atë të cilën kishte bërë edhe kur ishte gjallë. Për të fituar përjetësinë, pranoi statusin e personazhit të shkrimtarit.
Shpesh, shoh individë që sulmojnë shkrimtarin. E sulmojnë për të kaluarën, për heshtjen, për kokuljen, për postetnë regjimin komunist. Harrojnë se duke mbetur gjallë ishte mbase i vetmi, që me artin e tij, Kadare, ndërtoi Urën me tre harqe (trinitia, lindje-jetë-vdekje), përmbi të cilën shoqëria shqiptare eci nga diktatura në demokraci. Në këmbën e URËS, keni vetë shkrimtarin dhe fajin e tij të murosur në të. Pse mund të fyhet sot, një urë!? Mbase për faktin se të kujton që vjen nga ana tjetër e kohës. Dhe kjo, nuk është pak për një shoqëri postkomuniste.
Viktor Hygo ishte një gjeni. Ismail Kadareja ynë është më shumë, të paktën si piktor. Ura e tij, as nuk mund të shihet dhe as të pikturohet! Ajo ka dëshmitarë vetëm ata që e kaluan. Unë jam një nga ata!
Faleminderit shkrimtar!
Pse sulmohet Ismail Kadare? burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip