“Pse zgjedhim rrugën dhe jo baxhot”, reagimi i fermerëve pas aksionit për fiskalizimin e tregut

Vendimi i qeverisë për të fiskalizuar sektorin e prodhimit të bulmetit, sipas blegtorëve të Korçës, duhet të shkojë paralelisht me rishikimin e çmimit të shitjes së qumështit në baxho. Të këtij mendimi janë fermerët në Korçë, pas vendimit të qeverisë për të fiskalizuar sektorin e prodhimit të bulmetit.
“Po në baxho ta shpie? Me 60 lekë kilen? Kam 30 vite që e shes qumështin”, tha një fermer.
“Del policia thotë ‘hiqe ose do ta derdh qumështin? Pse të ma derdhin qumështin?! Ku ta gjej kuponin unë me bidonë?!”, u shpreh një tjetër.
Po çfarë thonë konsumatorët për këtë aksion?
“Edhe te dyqani i peshku të shkosh, nuk të jep njeri kupon”, tha një qytetare.
Sakaq, në Shkodër, policia bashkiake ka mbajtur në monitorim rrugët ku dalin të shesin tregtarët ambulantë, ndonëse aksioni nuk ka nisur, pasi institucionet po presin udhëzimet e ministrisë. Ndërkohë, në treg operojnë tregtarë që i paguajnë detyrimet bashkisë, por nuk janë të pajisur me kasa fiskale dhe janë të paqartë për faturën tatimore.
“Nuk na pranojnë pa faturë, por çfarë fature kam unë në majë të malit? Nuk na e merr baxho, për atë punë e bëjmë djathë ne”, tha një tregtar.
Aksioni synon që çdo produkt blegtoral dhe ushqimor të jetë i shoqëruar me faturën e fiskalizuar të blerjes, si një mënyrë për rritjen e sigurisë së produktit.
/rtsh.al/