Publikohen rezultatet e PISA 2025, Kumbaro: Përmirësim i ndjeshëm i nxënësve shqiptarë

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka njoftuar publikimin e rezultateve të PISA 2025, duke e cilësuar performancën e nxënësve shqiptarë si një lajm të mirë për arsimin kombëtar.
Sipas Kumbaros, krahasuar me rezultatet e vitit 2022, nxënësit shqiptarë kanë shënuar përmirësim të dukshëm në të tre fushat e vlerësimit. Rritja më e madhe është regjistruar në matematikë, me 65 pikë, e ndjekur nga shkenca me 59 pikë dhe leximi me 50 pikë.
Ministrja theksoi gjithashtu se Shqipëria renditet në krye të vendeve të Ballkanit Perëndimor në matematikë dhe shkencë, duke e cilësuar këtë rezultat si një tregues të progresit të sistemit arsimor. Kumbaro vlerësoi punën e bërë në shkolla nga mësuesit, nxënësit dhe prindërit, duke theksuar se rezultatet e PISA-s nuk duhet të shërbejnë si arsye për vetëkënaqësi, por si një dëshmi për progresin dhe si nxitje për të vijuar përmirësimin e arsimit.
“Një rezultat që nuk është aspak moment për vetëkënaqësi, por gjithmonë e më shumë një dëshmi e progresit të vazhdueshëm në arsim”, është shprehur ministrja.
/rtsh.al/