E Diel, 1 Nëntor 2026

Publikohet amaneti i akademikut Rexhep Qosja përpara ndarjes nga jeta

TIRANË, 23 prill /ATSH/ Akademiku Rexhep Qosja u nda sot nga jeta në moshën 89-vjeçare. Para se të ndahej nga jeta, Qosja ka lënë pas një letër ku ka shprehur amanetin e fundit për nipin e tij Valjetin.

Në letër ai thekson se kërkon një ceremoni mortore pa rituale fetar dhe të pranishëm të jenë vetëm familjarët e tij.

Akademiku Rexhep Qosja ishte një ndër intelektualët më me ndikim në hapësirën mbarëshqiptare, me një kontribut të jashtëzakonshëm në letërsi, kritikë letrare, histori dhe çështje kombëtare.

Letra e plotë:

Një letër për fundin. Po e ndaj me ju si dëshmi e fjalës së tij, duke respektuar amanetin që më është besuar.

Valjeti, Nipit tim Valjetit, i cili u kujdes për jetën time dhe prej të cilit kërkoj të kujdeset edhe për varrosjen time.

Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.

Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar, në pjesën më të madhe të kohës, duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve e pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.

Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa medie, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.

Vdes i qetë. Meqenëse jetën, krijimtarinë mendore dhe veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit dhe mirëqenies demokratike të popullit shqiptar mund të them se as Shqipërisë shtetërore e as Kosovës, të sotmes e ardhmërisë së tyre, nuk u kam mbetur borxh. Në qoftë se Kosova më ka mbetur borxh mua – këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.

Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat. Meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike e shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të liruara prej disa gjykimeve e vlerësimeve më të ashpra se ç’do të duhej. Megjithatë, varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.

Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë.

Gjyshi yt, Valjet

Rexhep Qosja

/e.i/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›