Publikohet lista e 435 fituesve për blerjen e parcelave ndërtimore

TIRANË, 9 tetor /ATSH/ Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) njoftoi sot se lista e 435 përfituesve të së drejtës për të blerë parcelën ndërtimore, në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 546, datë 1 tetor 2025, është publikuar në Fletoren Zyrtare dhe është e aksesueshme për qytetarët.
Ky vendim u mundëson qytetarëve që kanë përfunduar procesin e legalizimit të objekteve të tyre, të fitojnë pronësinë e plotë dhe të ligjshme mbi truallin ku ndodhen këto objekte, duke përmbyllur një hap të rëndësishëm në procesin e reformës së pronësisë në vend.
Sipas ASHK-së, personat që gjejnë emrin e tyre në këtë listë (që është online në faqen zyrtare të ASHK) kanë mundësinë të regjistrojnë parcelën ndërtimore përkatëse në pronësinë e tyre, për objektin e legalizuar.
Për t’u pajisur me faturën për parcelën ndërtimore, duhet të dërgohet një e-mail në adresën: pronaime@ashk.gov.al me këto të dhëna: Emrin, atësinë dhe mbiemrin e përfituesit, adresën e saktë dhe një numër kontakti si dhe kopje të vendimit të legalizimit ose certifikatën e pronësisë së objektit.
ASHK bën të ditur se, Drejtoria Vendore ASHK, që mbulon zonën kadastrale ku ndodhet objekti, do të pajisë qytetarin me faturën për pagesën, e cila kryhet në një bankë të nivelit të dytë.
Sa i takon lehtësirave dhe përfitimeve financiare, përfitohet 20% ulje nëse pagesa kryhet brenda 30 ditëve nga njoftimi i faturës (për faturat në lekë) dhe deri në 50% të vlerës mund të paguhet me bono privatizimi.
Ndërkohë pagesa falas përfitojnë: Personat me aftësi të kufizuara (invalidë, paraplegjikë, tetraplegjikë); Personat me statusin e të verbrit. Gjithashtu përfitojnë 50% ulje familjet me anëtarë me aftësi të kufizuara; familjet njëprindërore me fëmijë në ngarkim; dëshmorët e Atdheut dhe familjet e tyre; pensionistët; subjektet që përfitojnë ndihmë ekonomike.
ASHK njofton se, ky proces është pjesë e përpjekjeve për të garantuar të drejtat e pronësisë dhe për të përmbyllur me sukses procesin e legalizimit dhe regjistrimit të pronave në Shqipëri.
Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 546, datë 01.10.2025, parashikon vënien në dispozicion të një fondi 1,2 miliardë lekë për kompensimin e pronarëve dhe përfitime të reja për qytetarët me objekte të legalizuara.
Ky vendim sjell përfitime të drejtpërdrejta për 435 qytetarë, të cilët janë pajisur më parë me vendim legalizimi për objektet e tyre dhe tani fitojnë të drejtën për të blerë parcelën ndërtimore sipas kuadrit ligjor në fuqi, duke siguruar kështu pronësinë e plotë dhe të ligjshme mbi banesën dhe truallin ku ajo ngrihet.
Nga ana tjetër, 515 pasuri që preken nga ndërtimet pa leje do të kompensohen financiarisht, duke u ofruar pronarëve një zgjidhje përfundimtare dhe të drejtë.
Në total, 112 750 m² pasuri të paluajtshme përfshihen në këtë proces kompensimi.
Ky vendim është pjesë e angazhimit të qeverisë shqiptare dhe Agjencisë Shtetërore të Kadastrës për të vendosur qytetarin në qendër të reformës së pronësisë, duke i dhënë fund pasigurive të krijuara ndër vite për mijëra familje.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës vijon të zbatojë me përkushtim politikat shtetërore për përmbylljen e proceseve kalimtare të pronësisë, me qëllim që çdo qytetar shqiptar të ketë një pronë të sigurt, të regjistruar dhe të mbrojtur ligjërisht.
e.xh//a.f/