Punëtorët e landfillit të Sharrës në protestë: Po na marrin bukën e gojës
Tiranë- Rreth 200 punonjës të landfillit të Sharrës në Tiranë kanë dalë sot në protestë pasi sipas tyre, firma ku punonin e cila adminisitron mbeturinat, i ka larguar nga puna pasi ka ulur çmimin për kilogram me të cilin u merrte materialet që ata mblidhnin.
Ata akuzojnë firmën se i shfrytëzon dhe nuk i paguan për punën që bëjnë, teksa theksojnë se me të mund të sigurojnë vetëm bukën e gojës.
Punojmë për një copë bukë. Dikush fiton më pak, dikush tjetër më shumë. Por sot e kanë mbuluar me dhe dhe spo u japin njerëzve bukë të hanë, tha një punëtore.
Protestuesit i kanë bërë thirrje firmës për të gjetur një zgjidhje, ndryshe kanë paralajmëruar se do të shkatërrojnë rrethimin e landfillit. Punëtorët bllokaun edhe rrugën ku kalojnë makineritë e firmës ku u desh ndërhyrja e policisë për ta zhbllokuar.