E Martë, 3 Nëntor 2026

“Punonim edhe natën për një zanore”, kompozitori Flamur Shehu rrëfen krijimtarinë e tij në “Një natë sa një jetë”

Emisioni “Një natë sa një jetë” në RTSH 1 ka sjellë sonte një prej emrave më të mëdhenj të muzikës shqiptare, Flamur Shehun.

Me mbi 500 këngë të krijuara, mjeshtri i madh Flamur Shehu ka rrëfyer historinë e secilës prej tyre, “dënimin” pas festivalit të 11-të dhe bashkëpunimet me më të mirët e skenës.

“Ne kemi pasur një metodë tjetër, jo kjo që ndiqet sot. Ne punonim në piano. Kishim raste që merrnim poezinë përpara, dhe në bazë të poezisë ndërtonim edhe melodinë. Ose ndërtonim melodinë duke pasur në mendje motivin dhe fabulën e tekstit.

 Kam pasur një fat të mirë që kam punuar me poetë të mrekullueshëm, Betim Muço, Bardhyl Londo, Xhevahir Spahiun, Zhuljana Jorganxhi dhe Jorgo Papingji. Këta dy  të fundit janë poetët më të denjë për poezinë e këngës sepse ne me ata punonim me orë edhe natën për një zanore.

Kështu ka arritur krijimtaria të vijë deri këtu ku ka ardhur prandaj jeton. Kurse sot… unë jam dakord koha evoluon por duhet pasur pak bazament. Dhe bazamenti janë motivet shqiptar. Ne kemi një folkor të jashtëzakonshëm, qoftë të jugut, qoftë të veriut”, u shpreh kompozitori i njohur Flamur Shehu.  

Të ftuar kanë qenë edhe këngëtarja e njohur Myfarete Laze, kompozitori Sokol Marsi, dhe këngëtari Kozma Dushi.

Midis shumë rrëfimeve, këngëtarja Myfarete Laze ka treguar orët e gjata të provave për të kënduar “Pragun e Vegjëlisë”.

Nga ana e tij, Kozma Dushi rrëfeu se si këngëtarët vraponin të merrnin këngët e Flamur Shehut. Ndërkaq, edhe kompozitori i njohur Sokol Marsi kujtoi sakrificën e Flamur Shehut deri në orët e vona të mëngjesit.

“Nuk kam parë njeri të tillë i dhënë pas muzikës, pas këngës sa fuste në sakrificë edhe jetën. Gjithsesi vazhduan. Të nesërmen u bë ajo prova në të ftohtë, ku ora ka qenë 2:30.

Ikën të gjithë. Unë dhe Pali Kuke kemi qenë njerëzit e fundit, dhe shkojmë në atë sheshin e madh para stadiumit për të marrë makinën dhe shoh një njeri me kapuç në kokë; Flamur ti je? –Po! Po çfarë po bën? – Je lodhur dhe kam pritur të të dërgoj në shtëpi”, u shpreh Sokol Marsi.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›