E Diel, 1 Nëntor 2026

Punonjësit e Policisë, Gardës dhe Agjencive shtetërore indeksim 2,5% të pagave

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Këshilli i Ministrave miratoi sot një paketë vendimesh që sjellin ndryshime në strukturën e pagave dhe në mënyrën e përllogaritjes së shtesave, për disa kategori të administratës publike.

Vendimet parashikojnë indeksimin e pagave me 2,5% dhe rregullime të elementëve përbërës të pagës për punonjësit e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, si dhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në institucione të administratës publike.

Për Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, rritja reflektohet te paga për funksion, ndërsa për funksionet drejtuese parashikohen përmirësime shtesë.

Në Gardën e Republikës dhe Policinë e Burgjeve, indeksimi aplikohet mbi pagën për gradë, me rritje më të theksuar për disa grada të caktuara.

Një nga ndryshimet kryesore lidhet me strukturën e shtesave për vjetërsi në punë dhe nivel kualifikimi, veçanërisht për koordinatorët kundër korrupsionit.

Ndryshime janë miratuar edhe për punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme, ku paga bazë për klasë indeksohet me 2,5%, në përputhje me politikën e përgjithshme të rritjes së pagave në administratën publike.

Efektet financiare të këtyre vendimeve do të përballohen nga buxhetet përkatëse të vitit 2026, ndërsa rritjet dhe ndryshimet do të kenë efekt nga 1 janari 2026, pas botimit të vendimeve në Fletoren Zyrtare. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›