Pushimet në vendlindje, rritet ndjeshëm fluksi i udhëtarëve përmes portit të Durrësit

Me nisjen e sezonit të verës janë shënuar rritje të udhëtarëve që përdorin portin e Durrësit si për të mbërritur në Shqipëri ashtu edhe për të dalë jashtë territorit.
Sipas të dhënave zyrtare, përgjatë kësaj fundjave u futën në territorin shqiptar 9,147 pasagjerë dhe 3, 270 mjete. Ndërkohë më i ulët është numri i daljeve nga vendi.
Rritja e numrit të udhëtarëve që kanë kaluar nëpërmjet portit të Durrësit u shënua edhe në muajin qershor ku nga të dhënat u regjistruan 48,374 qytetarë ku 19,675 prej tyre u regjistruan në dalje drejt porteve italiane, ndërsa 28,699 udhëtarë kanë hyrë në vendin tonë.
Sipas të njëjtave statistikave tragetet në 74 lundrimet e kryera përgjatë muajit qershor kanë transportuar dhe 19,507 automjete, kamionë dhe trailera.
Shifrat e udhëtarëve pritet të rriten më shumë gjatë këtij muaji, ndërkohë që në muajin gusht arrin piku i lëvizjeve, pasi shumë nga bashkëatdhetarët tanë që punojnë dhe jetojnë jashtë vendit, kthehen për të kaluar pushimet në vendlindje.
/rtsh/