Pushimet nuk lidhen vetëm me paratë, psikologia: Koha cilësore me fëmijët dhe lojërat së bashku, kujtimet më të bukura

Vera për shumë fëmijë lidhet me pushimet dhe udhëtimet, por jo të gjitha familjet kanë mundësi ekonomike për t’i përballuar ato. Psikologia Suela Domnori shpjegon se si ndikojnë rrjetet sociale dhe krahasimet tek fëmijët që nuk kanë mundësi të bëjnë pushime.
“Në rrjetet sociale ne kemi vënë re që promovohen gjithmonë ato aspektet pozitive, pushime, aktivitete të ndryshme, të cilat për një fëmijë apo adoleshent që nuk e ka të mundur të kalojë një kohë të tillë, patjetër që kthehen në një moment reflektimi, ndoshta duke zgjuar pak zilinë, duke e ndjerë të demotivuar, duke humbur vlerësimin ndaj vetes”, tha Domnori.
Sipas saj pushimet cilësore nuk lidhen domosdoshmërisht me shpenzime të mëdha, por me kohën që prindërit kalojnë me fëmijët.
“Ka shumë prindër që janë në punë gjatë gjithë kohës dhe nuk kanë mundësi që të marrin pushime e të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, apo edhe për shkak të gjendjes ekonomike, pasi shpeshherë e dimë që pushimet kushtojnë mjaftueshëm. Por ne mund t’i kompensojmë dhe mund të përdorim alternativa të tjera, të cilat patjetër sjellin të mirat që ofrojnë pushimet verore.
Koha cilësore me familjen, duke bërë aktivitete në piknik, në natyrë, duke komunikuar me fëmijët, lojëra argëtuese popullore. Ndoshta duhet t’i kthehemi edhe lojërave tona që kemi luajtur dikur, të cilat nuk kanë kosto, por kanë një vlerë të madhe shpirtërore dhe ndikojnë në zhvillimin emocional dhe edukativ të fëmijëve”, theksoi psikologia.
Specialistët këshillojnë që familjet të përqendrohen tek përvojat e përbashkëta duke krijuar kujtime të bukura edhe përmes aktiviteteve të thjeshta e me kosto të ulët.
Gazetare: B. Cina
/rtsh.al/