Pushohet çështja penale për tre pedagogët e Korçës
Prokuroria
Për gjykim janë dërguar vetëm tre personat e dyshuar si sekserë
Hetimet e prokurorisë për korrupsion në Universitetin e Korçës kanë sjellë pushimin e çështjes për tre pedagogët e dyshuar, ndërkohë që janë marrë të pandehur vetëm tre të dyshuarit si sekserë. Bëhet fjalë për çështjen e disa rasteve të dyshimta për marrje ryshfeti deri në 30 mijë lekë në këmbim të notave kaluese në provime. Dje ka nisur në Gjykatën e Faktit në Korçë shqyrtimi gjyqësor i kësaj çështje. Në këtë seancë u bë e ditur se çështja penale ndaj pedagogëve Gjergji Çapollari, Lenci Konomi dhe Rezarta Hoxhallari është pushuar. Ka të dhëna se organi i akuzës nuk ka siguruar apo dorëzuar materiale të pakundërshtueshme hetimore që të vërtetojnë implikimin e tyre në marrje ryshfeti. Në gjyq kanë përfunduar vetëm tre persona që akuzohen se kanë bashkëpunuar me pedagogët kundrejt dhënies së parave për të kaluar në provimet e vjeshtës disa studentë. Në seancën gjyqësore, një prej të akuzuarve për ndërmjetësim midis studentëve dhe pedagogëve, me pretendimin se nuk kishte avokat mbrojtës, ka bërë që të shtyhet seanca për datën 14 janar. Kjo çështje është ndjekur me hetime nga sektori i antikrimit ekonomik në Policinë e Korçës që nga vjeshta e vitit të kaluar. Sipas të dhënave, studentët që kanë dhënë para dhe nuk kanë arritur të marrin nota kaluese në provime, kanë denoncuar rastin. Burime të besueshme të policisë dhe prokurorisë thanë se janë përdorur mjete speciale hetimi në përgjim telefonash, prej të cilave janë siguruar pamje me foto. G. Ashimi
Pushohet çështja penale për tre pedagogët e Korçës burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP