E Martë, 3 Nëntor 2026

Putin: Avionin ushtarak e rrëzuan amerikanët me sistemin “Patriot”

Rusia dhe Ukraina kanë bërë të ditur se kanë shkëmbyer ushtarë të kapur rob. Ushtria ruse thotë se secila palë mori shkëmbeu195 ushtarë.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se 207 ushtarë dhe civilë ukrainas janë rikthyer në vend.

Kievi vë në dyshim pretendimet e Moskës se të burgosurit ukrainas ishin në aeroplanin që u rrëzua javën e kaluar.

Presidenti rus Vladimir Putin pretendoi të mërkurën se avioni transportues ushtarak Il-76 ishte rrëzuar nga një sistem amerikan “Patriot” në rajonin perëndimor të Belgorodit.

Ushtria ruse më herët pretendoi se 65 ushtarë ukrainas kishin qenë në aeroplanin që po shkonte në zonë për një shkëmbim të të burgosurve.

Sipas ushtrisë ruse, 6 anëtarë të ekuipazhit rus dhe tre zyrtarë që shoqëronin të burgosurit ishin gjithashtu në bord duke shtuar se nuk kishte të mbijetuar.

Moska fajëson Ukrainën për rrëzimin e aeroplanit, të cilin Kiev nuk e ka konfirmuar dhe as mohuar.

Asnjë nga detajet rreth atyre në bord nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe të dyja palët kanë kërkuar një hetim ndërkombëtar.

Në një deklaratë të shkurtër të mërkurën, Ministria Ruse e Mbrojtjes tha se shkëmbimi i fundit i të burgosurve u përfundua pas negociatave me Kievin.

“Personeli ushtarak i liruar do të transportohet me avion transporti ushtarak… në Moskë për trajtim dhe rehabilitim”, thuhet në njoftim.

Ministria Ruse e Mbrojtjes publikoi një video që supozohet se tregon ushtarët rusë të shkëmbyer duke hipur në një autobus

“Të gjithë të liruarve iu ofrohet ndihma e nevojshme mjekësore dhe psikologjike”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se Emiratet e Bashkuara Arabe janë përfshirë në negociata.

Pamjet e publikuara nga ministria supozohet se tregojnë ushtarët rusë të shkëmbyer duke hipur në një autobus përpara fluturimit të tyre për në Moskë.

Presidenti Zelensky shkroi në një postim në rrjetet sociale: “Njerëzit tanë janë kthyer. 207 prej tyre. Ne kujtojmë çdo ukrainas në robëri. Si luftëtarët ashtu edhe civilët. Ne duhet t’i kthejmë të gjithë” tha ai, duke falënderuar zyrtarët e lartë të sigurisë të Ukrainës që bënë të mundur shkëmbimin e fundit.

Ky është shkëmbimi i 50-të i të burgosurve që kur presidenti Putin nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›