Putin firmos ligjin e adoptimeve
52 jetimë rusë nuk mund të adoptohen nga familjet amerikane që prej muajsh kishin nisur procedurat. Kjo është pasoja e menjëhershme pas miratimit në Rusi të ligjit që ndalon adoptimet amerikane. Fëmijët e përfshirë do të adoptohen në Rusi.
Pas polemikave të shumta presidenti rus Putin ka firmosur ligjin e njohur ndryshe si ligji anti Magnitski, i cili është miratuar fillimisht në dhomën e ulët të parlamentit, në Dumën e shtetit dhe në senat. Ligji zyrtarisht njihet me emrin Dima, djaloshit rus i cili gjeti vdekjen i asfiksuar në automjetin e të atit adoptues në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në 2008-ën, pasi ai e kishte harruar aty. Babai u shpall i pafajshëm për akuzën e vrasjes me dashje. Por duke u nisur nga ky fakt Putin ka ndaluar që fëmijët rusë të adoptohen nga shtetasit amerikanë duke filluar nga 1 janari i vitit 2013. por vendimi duket gjithsesi si një kundër reagim pasi presidenti amerikan Obama ka firmosur Listën Magnitski me emrat e funksionarëve rusë që nuk lejohen të shkelin territorin amerikan pasi janë të përfshirë në vdekjen në burg, në vitin 2009, të avokatit rus Sergei Magnitski.
Vdekja e Magnitskit është kthyer në një çështje ndërkombëtare dhe arsye tensioni mes Moskës dhe kancelarive perëndimore. Avokati 37 vjeçar, i arrestuar për evazion fiskal pasi kishte denoncuar një mashtrim prej 230 milionë dollarësh të drejtuesve të ministrisë ruse të brendshme. Ai gjeti vdekjen nga torturat në burg.