E Martë, 3 Nëntor 2026

QKLL shpall fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2025

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndau sot vlerësimet për fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2025.

Juria, e kryesuar nga shkrimtari Ylljet Aliçka dhe me anëtarë pedagogen e letërsisë, Dhurata Shehri dhe gazetaren e kulturës, Arta Marku vlerësuan mes 18 dorëshkrimeve veprat: “Pallati i dëshpërimit” (roman), “Testosteron” (vëllim me tregime), “Shpikja e skandalit në idil” (vëllim me poezi).

Fituesit e Fondit të Krijimtarisë Letrare për të Rinj për vitin 2025 janë:

Ena Bulku për romanin “Pallati i dëshpërimit”, nga shtëpia botuese “Ombra GVG” me motivacionin: “Një roman që eksploron në mënyrë fine fatin e individit, botën e tij të brendshme duke përzier erudicionin, poezinë dhe meditimin mbi kohën dhe kujtesën”.

Arbër Selmani për vëllimin me tregime “Testosteron”, nga shtëpia botuese “Albas” me motivacionin: “Proza që shkëlqejnë me intuitë dhe stil në zbulimin e të vërtetave të artit”.

Elvin Nuri për vëllimin poetik “Shpikja e skandalit në idil”, nga shtëpia botuese “Berk”, me motivacionin: “Poezi e vetmisë urbane, që figurën e bën zgjedhje jo dekorative”.

“Do ta konsideroja një ndër fondet më të rëndësishme të Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, pasi fokusi ynë gjithmonë kanë qenë të rinjtë. Qëllimi i këtij fondi është të mbështesë, por dhe të motivojë krijuesit e rinj me botimet e tyre të para, ata që do të vijojnë rrugën e bukur të shkrimit shqip”, tha Alda Bardhyli, drejtoresha e QKLL.

Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj çdo vit, u jep mundësinë tre autorëve të rinj të botojnë veprat e tyre të para.

Në këtë aktivitet të organizuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ishin të pranishëm botues, shkrimtarë, profesorë, studiues etj.

Fondi i krijimtarise letrare per te rinj. Fotot nga Agim Dobi 1 nga 7

/a.f/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›