Qëllohet me armë shqiptari në Greqi, në gjendje kritike për jetën

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e të shtunës në Selanik, në zonën e Neapolis, ku një shtetas shqiptar është plagosur rëndë pas një të shtënë me armë. Sipas raportimeve nga mediat greke, ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, kur një person ende i paidentifikuar qëlloi dy herë ndaj shqiptarit, ndërsa ai po qëndronte i ulur jashtë një dyqani me një shok të tij.
Pasi ka marrë dy plumba në bark, i plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku aktualisht ndodhet në gjendje kritike për jetën. Autoritetet greke kanë nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes, ndërkohë që janë duke punuar për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Sipas burimeve, autori ka mbërritur me këmbë në vendngjarje dhe është larguar gjithashtu me këmbë. Për momentin, ende nuk janë zbardhur shkaqet e kësaj ngjarje të dhunshme. Policia vazhdon hetimet për të sqaruar rrethanat dhe motivet e sulmit.